Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po zhvillon një plan për të dërguar ndihma ushqimore dhe mjekësore për palestinezët në Gaza, në mes të kufizimeve të Izraelit që po pengojnë shpërndarjen e ndihmës humanitare, raporton agjencia “AP”.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump theksoi: “Ne duam t’i ndihmojmë njerëzit. Ne duam t’i ndihmojmë ata të jetojnë. Ne duam t’i ushqejmë njerëzit. Është diçka që duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë.”
Deklaratat e tij vijnë ndërsa i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, së bashku me ambasadorin amerikan në Izrael, Mike Huckabee, vizituan qendrat humanitare në Gaza të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.
Trump pranoi se nuk ishte informuar për vizitën, por lavdëroi të dërguarin amerikan për “punën e shkëlqyer”. Ai gjithashtu konfirmoi se në Gaza ka “uri të vërtetë”:
“Është e tmerrshme ajo që po ndodh atje. Po, është një gjë e tmerrshme. Njerëzit janë shumë të uritur.”
Kjo ndodh ndërsa po rriten kritikat ndaj koordinimit SHBA-Izrael, ndërsa GHF përballet me akuza se operacionet e shpërndarjes së ndihmës janë rrezik dhe kanë shkaktuar vdekjen e mbi 1,300 palestinezëve që prisnin ndihmën.