Njohësi i çështjeve politike, Valon Murati, njëherësh edhe kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka reaguar pas deklarimit të presidentit amerikan, Donald Trump, se ky i fundit ka një plan për Kosovën dhe Serbinë.
Murati me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se ky deklarim i presidentit Trump thekson rëndësinë e raportit të Kosovës me Serbinë dhe rikthimit në dialog.
“Ky deklarim i presidentit amerikan dëshmon për dy gjëra: se rajoni ynë dhe rrjedhimisht edhe raporti ynë me Serbinë nuk qenka aq i parëndësishëm siç pandehej. Dhe e dyta, ai paska gatishmëri jo vetëm t’i kthehet procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë por duket se ka edhe një plan”, shkruan ndër të tjera ai.
“Tash çështja që duhet ne ta shtrojmë me seriozitet si shoqëri është se a kemi ne gatishmëri të merremi seriozisht rreth kësaj çështjeje dhe a kemi ndonjë plan? Për më tepër a kemi ndonjë ide se çfarë mund të jetë plani i Trampit dhe cilat janë vendimet e administratës Biden që atij nuk i kanë pëlqyer? Sidoqoftë, këto duken pyetje të rënda për një shoqëri e sidomos politikë që nuk mund ta konstituojë Kuvendin që dy muaj e pas 32 përpjekjeve”, përfundon shkrimi i Muratit.
Çka tha Trump për Kosovën?
Trump paralajmëroi për një rikthim të raporteve Kosovë-Serbi, duke aluduar se ka një plan.
““Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin ashpër, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova atë (Biden ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë idiote, por do ta rregulloj përsëri)”, deklaroi ndër të tjera ai.
Kjo është hera e parë që Trump deklarohet për raportet Kosovë-Serbi.