Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mohuar përfshirjen amerikane në sulmet ajrore ndaj Iranit të premten, duke deklaruar se SHBA “nuk kishte asgjë të bënte me sulmin ndaj Iranit, sonte”.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, të publikuar të dielën në mëngjes, Trump paralajmëroi Teheranin që të mos përpiqet të përfshijë Shtetet e Bashkuara në konflikt.
“Nëse ne sulmohemi në çfarëdo mënyre nga Irani, forca dhe fuqia e plotë e Ushtrisë Amerikane do të bie mbi ju në nivele që nuk janë parë ndonjëherë më parë,” shkroi ai.
Megjithatë, presidenti amerikan la të hapur derën për diplomaci, duke thënë se “mund të arrijmë lehtësisht një marrëveshje mes Iranit dhe Izraelit dhe të përfundojmë këtë konflikt të përgjakshëm”.
Trump theksoi gjithashtu se i kishte dhënë udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, një afat prej 60 ditësh këtë pranverë për të negociuar një marrëveshje bërthamore, me paralajmërimin se do të përballeshin me pasoja nëse nuk arrihej një marrëveshje.
“Unë nuk e di nëse e dini, por u dhashë një paralajmërim 60-ditor dhe sot është dita e 61-të,” tha Trump për CNN pas fillimit të sulmeve izraelite ndaj Iranit.