Tubimet me mërgatën në diasporë janë të shpeshta për partitë politike në Kosovë, derisa jemi në parafushatë zgjedhore, për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Fokusi duket të jetë më i madh në diasporë, sidomos për Lëvizjen Vetëvendosje.
Lidhur me këtë, ish diplomati Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se është për keqardhje dhe e rrezikshme që Qeveria dhe kryeministri përdorin taksat e qytetarëve për të bërë fushatë në diasporë, duke futur përçarje në popull dhe duke sulmuar opozitën.
“Duke marrë parasysh sistemin tonë zgjedhorë është legjitim dhe i mirëseardhur bashkëpunimi i partive politike me diasporën aq më shumë është interes nacional dhe strategjik i Kosovës lidhja e fuqishme e Kosovës me diasporën. Është për keqardhje dhe e rrezikshme kur Qeveria dhe Kryeministri përdorin taksat e qytetarëve, përdorin ambasadat dhe krejt aparatin shtetëror për të futur thikën e përçarjes në popull duke sulmuar opozitën dhe duke shpërfaq retorikë mashtruese tek diaspora e cila duke marrë parasysh se nuk jetojnë në Kosovë shpesh janë larg realitetit”, vlerëson ai.
Arifi potencon se “të gjitha partitë janë mobilizuar në diasporë dhe pres një numër më të madh të votuesve se përpara”.
Ndërsa, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për Gazeta Blic se po keqpërdoren ambasadat dhe fushata është me tone jo të zakonshme.
“Është një fushatë me tone jo shumë të zakonshme dhe keqpërdorim të ambasadave nga pushteti për fushate politike, ndërsa opozita është më aktive në diasporë seç ka qenë më parë, kurse fokusi i LVV-së në diasporë është për faktin se votuesit e humbur brenda Kosovës synon t’i zëvendëosjë me ata të diasporës, sepse ata nuk preken shumë nga vendimet qeveritare, por, më shumë votojnë mbi bazën e populizmit dhe nacionalizmit politik”, thekson ai.
Sipas Sadikut, diaspora ka ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, teksa kujton rezultatin e VV-së në zgjedhjet e kaluara.
“Po diaspora ka efekt real në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë sidomos në rezultatin e kaluar të LVV-së 50+1 %, por edhe ne zgjedhjet lokale ka pasur ndikim, p.sh.: LDK-ja kishte fituar Junikun me votat e diasporës”, deklaron analisti Arbnor Sadiku.