Franca të mërkurën e cilësoi si “lajm të rremë” pohimin e presidentit amerikan, Donald Trump, se ai i kishte bërë presion homologut francez, Emmanuel Macron, për t’i rritur çmimet e barnave në shtetin evropian, pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi me taksa të rënda ndaj importeve franceze në ShBA.
Kjo ishte vala më e re në një luftë fjalësh që po përshkallëzohet mes dy aleatëve të NATO-s, përderisa kërcënimi i Trumpit për ta marrë nën kontroll Grenlandën dhe për t’i vendosur taksa cilitdo shtet që e pengon këtë synim po i vë nën trysni të pashembullt marrëdhëniet transatlantike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Po pretendohet se presidenti Emmanuel Macron e ngriti çmimin e ilaçeve. Ai nuk i cakton çmimet. Ato rregullohen nga sistemi i sigurisë sociale dhe, në të vërtetë, kanë mbetur të qëndrueshme. Kushdo që ka shkelur në një barnatore franceze e di këtë” – shkroi Presidenca e Francës në rrjetin X.
Presidenca përdori një figurë të formatit GIF të Trumpit duke i shqiptuar fjalët “lajm i rremë” përballë një mikrofoni, me mbishkrimin e njëjtë nën të.
Më herët të mërkurën, Trumpi tha në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës se e kishte kërcënuar Macronin me taksa për ta bindur që t’i rriste çmimet e ilaçeve në Francë.
“Unë thashë: Kështu është puna, Emmanuel, përgjigjja është, ti do ta bësh këtë, do ta bësh shpejt dhe, nëse nuk e bën, do të vë taksë prej 25 për qind ndaj gjithçkaje që ti shet në Shtetet e Bashkuara dhe një taksë prej 100 për qind ndaj verërave dhe shampanjave tuaja” – deklaroi Trumpi.
“(Dhe Macroni tha) “Jo, jo, Donald, do ta bëj, do ta bëj”. M’u deshën mesatarisht nga tre minuta për shtet, duke e thënë të njëjtën gjë: Ti do ta bësh këtë” – shtoi presidenti amerikan.
Më herët, presidenti amerikan u tall edhe me syzet që i kishte vënë presidenti francez për të fshehur një çrregullim në njërin sy.













