Në kuadër të hulumtimeve për parregullsitë në sektorin privat të shëndetësisë, Veriu.info ka siguruar dy vendime të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilat gjobiten me nga 3 mijë euro secili dy doktorë për ushtrim të veprimtarisë së dermatologjisë pa licencë.
Fjala është për themeluesen e Klinikës “Hermosa”, Dr. Elira Grezda Manxhuka dhe bashkëshortin e saj, Dr. Noli Manxhuka, të cilët, sipas Inspektoratit Shëndetësor, kanë kryer shërbime dermatologjike pa licencë valide. Më saktësisht, të njëjtëve iu ishte refuzuar licenca nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim i Ministrisë së Shëndetësisë.

Me vendimin e Inspektoratit Shëndetësor 05-1240, të datës 23.07.2025, Dr. Elira Grezda Manxhuka ishte gjobitur me 3 mijë euro, pasi ishte gjetur se ajo në Klinikën “Hermosa” kishte ofruar shërbime dermatologjike pa licencë.
“Gjatë kohës së inspektimit gjetëm fakte se shërbimet dermatologjike ofroheshin nga Dr. Elira Grezda Manxhuka – Doktor i Mjekësisë, për pacientët: E.D., data 10.06.2025, shërbimi Otoplastika; E.D., data 16.06.2025, shërbimi Otoplastika; V.S., data 18.06.2025, shërbimi Otoplastika; D.K., data 07.07.2025, shërbimi Otoplastika; B.H., data 14.07.2025, shërbimi PRP-Flokë; L.D., data 14.07.2025, shërbimi konsultë mjekësore – shërbime të cilat do të duhej të ushtroheshin vetëm pas kualifikimit adekuat, kualifikim profesional i fituar gjatë shkollimit specialistik pasdiplomik, të kryer në Republikën e Kosovës ose jashtë saj, që është i njohur dhe i nostrifikuar në pajtim me ligjin”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Inspektoratit Shëndetësor.


Edhe bashkëshorti i saj, Dr. Noli Manxhuka, ishte gjobitur me 3 mijë euro për ushtrim të veprimtarisë shëndetësore në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi.
Në arsyetimin e vendimit 05-1241 të Inspektoratit Shëndetësor për Dr. Noli Manxhuka thuhet se janë gjetur fakte se në Klinikën “Hermosa” shërbimet shëndetësore dermatologjike ofroheshin nga Dr. Noli Manxhuka – Doktor i Mjekësisë, me licencë valide deri më datë 09.11.2028, i cili në sistemin elektronik DLA figuron si “i refuzuar”, ndërsa në sistemin elektronik të këtij institucioni figurojnë pacientë të cilët marrin shërbime dermatologjike nga Dr. Noli Manxhuka – Doktor i Mjekësisë.


“Gjatë kohës së inspektimit gjetëm fakte se shërbimet dermatologjike ofroheshin edhe nga Dr. Noli Manxhuka – Doktor i Mjekësisë, për pacientët: GJ.K., data 17.06.2025, shërbimi Otoplastika; B.D., data 07.07.2025, shërbimi Otoplastika; T.B., data 10.07.2025, shërbimi Otoplastika – shërbime të cilat do të duhej të ushtroheshin vetëm pas kualifikimit adekuat, kualifikim profesional i fituar gjatë shkollimit specialistik pasdiplomik, të kryer në Republikën e Kosovës ose jashtë saj, që është i njohur dhe i nostrifikuar në pajtim me ligjin. Andaj, Dr. Noli Manxhuka – Doktor i Mjekësisë, në IPSH ‘Hermosa’ SH.P.K., Rruga ‘Ali Aliu Kelmendi’ p.n., Prishtinë, ndëshkohet për shkelje të dispozitave të Ligjit për Shëndetësi”, thuhet në këtë vendim të Inspektoratit Shëndetësor të siguruar nga Veriu.info.
Veriu.info ka kontaktuar me Klinikën “Hermosa”, duke i pyetur për vendimin, pagesën e gjobës, arsyet pse e kanë ushtruar veprimtarinë pa licencë (me licencë të refuzuar) dhe nëse konsiderojnë se kanë rrezikuar shëndetin e pacientëve.
Në përgjigjen fillestare nga Klinika “Hermosa” mohohet se janë gjobitur, ndërsa thuhet se Dr. Noli Manxhuka është i licencuar në fushën e dermatovenerologjisë (v.j. degë e mjekësisë që diagnostikon dhe trajton sëmundjet e lëkurës, flokëve, thonjve, mukozës, si dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme/sëmundjet veneriane)
“Dr. Noli Manxhuka është mjek i licencuar në fushën e dermatovenerologjisë dhe kjo informatë mund të konfirmohet te Oda e Mjekëve të Kosovës. Klinika jonë asnjëherë nuk ka pranuar ankesë nga pacientët ose Inspektorati Shëndetësor për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor. Ne jemi plotësisht të hapur për çdo pyetje nga ana juaj dhe, përkundër respektit për gazetën tuaj, ju informojmë se informatat tuaja janë të pasakta dhe, në rast të publikimit si të tilla, rezervojmë të drejtën tonë për ankesë pranë KPM-së.”
Pas kësaj përgjigjeje nga Klinika “Hermosa”, Veriu.info ka dërguar pyetje sërish, duke bashkëngjitur në e-mail vendimet e muajit korrik 2025 për gjobat e shqiptuara për ushtrim të veprimtarisë mjekësore pa licencë valide. Në përgjigjen e dytë të marrë nga “Hermosa” sërish tentohet t’i devijohet temës, duke pretenduar se vendimet janë të vitit 2024, përkundër faktit se në to shihet data 23 korrik 2025.

“Po, këto vendime janë të sakta dhe janë të vitit 2024. Klinika HERMOSA gjatë kësaj kohe ka ofruar shërbime gjithmonë nën mbikëqyrjen e specialistes dr. Shpresa Nuraj. Gjobat janë paguar menjëherë pas shqiptimit dhe kërkesat e Inspektoratit gjatë inspektimit të klinikës menjëherë janë plotësuar. Në lidhje me vendimet, mendojmë se fillimisht duhet të realizohet ligji për ofrimin e shërbimeve estetike dhe t’i jepet shumë rëndësi parandalimit të ofrimit të këtyre shërbimeve nga persona që nuk kanë profil mjekësor”, përfundon përgjigjja e Klinikës “Hermosa”.
Pra, përkundër faktit se Inspektorati Shëndetësor kishte gjetur se themeluesja e Klinikës “Hermosa”, Elira Grezda Manxhuka, dhe bashkëshorti i saj, Noli Manxhuka, kanë punuar pa licencë valide, nga kjo klinikë jepen “këshilla” se si duhet të rregullohet fusha e shërbimeve estetike nga shteti.
Ndryshe, në klinikën “Hermosa” kryesisht ofrohet shërbimi i korrigjimit të veshëve, por kryhen edhe këto shërbime: korrigjimi i hundës me acid hialuronik, filler për zona të ndryshme të fytyrës, rimodelimi i buzëve me acid hialuronik dhe injektimi i botoksit.






LEXONI EDHE:













