Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë, ka vënë në pranga L.M., i cili dyshohet se ishte i përfshirë në përplasjet e 29 majit 2023 në Zveçan, ku u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it dhe të policisë.
Gjatë bastisjes së shtëpisë së tij, hetuesit sekuestruan disa prova materiale, përfshirë një telefon, dy USB, veshje të ndryshme ushtarake si dhe një bluzë me mbishkrim nacionalist, e cila dyshohet se ishte përdorur ditën e incidentit.
I arrestuari është marrë në pyetje në prani të avokatit dhe përkthyesit, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar në paraburgim 48-orësh.
Sipas autoriteteve, ndaj tij është hapur procedurë për disa vepra penale, mes tyre: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulm ndaj personit zyrtar, si dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm.