Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ka sqaruar opinionin publik se, që nga dita e zgjedhjes në funksionin e rektorit të UP-së më 7 gusht 2024, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në çdo organizatë ose institucion tjetër, përveç Universitetit të Prishtinës.
Në reagimin e Universitetit të Prishtinës, mes të tjerash thuhet:
Në mbrojtje të integritetit të tij akademik dhe njerëzor, si dhe të institucionit që drejton, rektori Hajrullahu do të fillojë të ndjekë rrugët ligjore kundër të gjitha rasteve të lajmeve të pavërteta që po shfaqen në vazhdimësi, në kuadër të fushatave të qëllimshme dezinformuese.
Bazuar në parimet e ligjshmërisë dhe meritokracisë, menaxhmenti i UP-së është i përkushtuar dhe i vendosur për ta çuar përpara Universitetin e Prishtinës dhe shoqërinë kosovare, pavarësisht sfidave dhe pengesave që mund të dalin gjatë rrugës.












