Arbërie Nagavci e ka përmbyllur mandatin e saj si Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Ajo është lënë jashtë kabinetit të Qeverisë së re, që u votua mbrëmë.
Pas përfundimit të mandatit, Nagavci ka bërë një reagim në Facebook, ku ka falenderuar bashkëpunëtorët.
Nagavci ka renditur 15 këshilltarë si dhe 17 persona si staf mbështetës.
Në webfaqen e MASHT figurojnë tetë persona si këshilltarë të Nagavcit.
“Në përmbyllje të mandatit tim si ministre e MASHTI-t, ndiej mirënjohje të thellë dhe shpreh falënderimin tim të sinqertë për ekipin tim të jashtëzakonshëm, i cili me përkushtim, profesionalizëm dhe integritet dha maksimumin gjatë këtyre pesë viteve shërbimi. Së bashku kemi përballuar sfida, kemi marrë vendime të rëndësishme dhe kemi punuar pa u ndalur për ta çuar përpara arsimin, shkencën, teknologjinë dhe inovacionin në vendin tonë. Çdo arritje mban vulën e punës sonë të përbashkët, të përkushtimit dhe të besimit që kemi ndërtuar ndër vite”, ka shkruar Nagavci.













