Bashkimi Evropian ka vazhduar thirrjet ndaj Kosovës dhe Serbisë për të bërë përpjekje maksimale në lidhje me dialogun.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, thotë se Bashkimi Evropian po mundohet të bëjë përpjekje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, andaj ajo kërkon edhe nga vetë shtetet që ta bëjnë të njëjtën gjë.
Hipper i jep shumë rëndësi, fuqisë që sipas saj ka dialogu.
“Ne gjithmonë besojmë në fuqinë e dialogut dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme dhe e nevojshme. Prandaj ne po vendosim të gjitha përpjekjet tona në dialog dhe prandaj po u kërkojmë palëve të përfshira që të bëjnë të njëjtën gjë”, është shprehur Anitta Hipper.
Këto deklarata ajo i ka bërë pas mbylljes së institucioneve paralele serbe, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës sqaroi se këto nuk janë struktura të mbështetura nga Serbia, por institucione të paligjshme që sfidojnë rendin dhe kushtetutën e vendit.
Qeveria madje hodhi poshtë zotimin e pretenduar nga BE se statusi i tyre është pranuar që të zgjidhet përmes dialogut.
Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, u pyet nga gazetarët që të sqaronte se çfarë u kërkoi palëve të bënin konkretisht.
Ajo u përgjigj duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit në dialog në mënyrë konstruktive.
Megjithatë u zu ngushtë kur u pyet për faktin që shumica e takimeve që thirren dështojnë, ashtu siç ndodhi me mbledhjen inauguruese të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur të luftës.
Pavarësisht se ndërmjetësuesi. Miroslav Lajçak, konfirmoi se ishte pala serbe ajo që solli dështimin e takimit, zëdhënësja Hipper tha se do ta komentojë në një moment të dytë çështjen.
Kujtojmë se kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, refuzoi të merrte pjesë në takim, siç tha, për shkak të mbylljes së institucioneve paralele serbe.