Sot në mesnatë përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila ndaloi deputetët e legjislaturës së nëntë të ndërmarrin çfarëdo veprimi në drejtim të konstituimit të Kuvendit.
Kjo masë ishte vendosur pas dështimit të deputetëve për të përmbushur afatin 30-ditor të përcaktuar nga aktgjykimi i Kushtetueses më 26 qershor.
Lidhur me këtë ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
‘’Ne kemi ofruar dy kompromise, i pari ka qenë që me rastin e votimit të fsheftë nëse nuk votohet Albulena Haxhiu atëherë ne e ndryshojmë kandidatin, ndërsa tjetri ka qenë që të mirremi vesh për një paketë që të votohen bashkë kryetari e nënkryetarët, ne kemi bërë hapa por nuk ka pasur hapa nga pala tjetër, mosmarrëveshjet nuk i zgjidhë Gjykata’’ ka thënë Kurti.
Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale pas dështimit për të formuar institucionet e reja, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Deri tani, janë bërë 54 përpjekje për ta konstituar Kuvendin që nga seanca e parë më 15 prill, por pa sukses.