Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Viktor Buzhala, i cili në zgjedhjet e 7 qershorit garon me numrin 78, ka komentuar vendimin e Qeverisë në detyrë për ndarjen e nga 100 eurove për pensionistët, fëmijët, studentët dhe punonjësit e sektorit privat me paga nën 1 mijë euro.
Ai tha se bëhet fjalë për qindra mijëra përfitues dhe se numri i tyre mund të arrijë deri në 700-800 mijë persona, varësisht nga numri i aplikimeve, veçanërisht nga studentët dhe punëtorët e sektorit privat.
“Qeveria ka vendosur t’ua ndajë nga 100 euro pensionistëve, fëmijëve, studentëve dhe punëtorëve të sektorit privat që e kanë pagën nën 1 mijë euro. Po flasim për qindra mijëra përfitues. Kjo shifër mund të shkojë deri në 700-800 mijë persona, pasi varet edhe nga aplikimi që do ta bëjnë sidomos studentët dhe punëtorët e sektorit privat. Këto kategori më herët mund t’i shihnin 100-shet vetëm në televizor, ndërsa tash po i shohin mjaft shpesh në llogaritë e tyre”, ka thënë Buzhala.











