Visar Azemi, i cili është kandidat për kryetar të Komunës së Ferizajit, ka thënë se më shumë se 6 mijë fëmijë të këtij qyteti, nuk e kanë mundësinë për çerdhe.
Gjatë prezantimit të programit të tij dhe ekipit të tij, Azemi ka thënë se shkollat në Ferizaj sot përballen me sfida të mëdha e që prekin të gjitha familjet.
“Më shumë se 6,000 fëmijë nuk kanë mundësinë për çerdhe, duke lënë mijëra nëna përballë sfidës së vetme të rritjes së fëmijës. Ferizaji nuk ka kapacitet as për 30% të fëmijëve. Kjo nuk është thjesht statistikë. Kjo është një gjeneratë që po rritet me më pak mundësi se bashkëmoshatarët e tyre”, ka thënë Azemi, duke premtuar se do të hap çerdhe në lagje e fshatra, që fëmijët të kenë kujdes dhe edukim afër shtëpisë.
Sipas tij, në shkollat e Ferizajit mungon siguria e higjiena dhe se fëmijët përjetojnë dhunë dhe bullizim.
“Përderisa në vendet tjera, flitet për inteligjencën artificiale si lëndë të re mësimore, fëmijët tanë nuk kanë as pajisje teknologjike, e as laboratorë ku të mësojnë e zhvillohen si duhet. Rezultatet flasin më së miri: Në gjithë Ferizajn, për 46 shkolla ka vetëm 26 kabinete”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se me ardhjen e tij në krye të Ferizajit, do të vendosen zyrtarë sigurie pranë shkollave, që fëmijët të ndihen të sigurtë.
Gjithashtu, fëmijëve do tu ofrohen shujta të ngrohta në baza ditore si dhe do të ketë klasa digjitale.