Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratës së Bekim Sejdiut, kandidatit për president, i cili e rikonfirmoi se është tërhequr nga gara për të parin e vendit.
Murati iu është sulur medieve duke thënë se u nxituan ta paraqesin qëndrimin e Sejdiut para se të marrin qëndrim nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për atë që Murati pretendoi se është ofertë e re e kryeministrit Albin Kurti ndaj tyre, shkruan Insajderi.
“Disa medie u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti: edhe me vetëm gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së që e votojnë qoftë edhe kundër Bekim Sejdiun për President, ne i japim votat tona për Projektligjin mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë”, shkroi Murati.
“Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën. Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”, përmbyll shkrimin Murati në ‘Facebook’.
Pas deklarimeve të kryeministrit Albin Kurti se emri i tyre vazhdon të jetë Bekim Sejdiu, duke iu referuar marrëveshjes politike me LDK-në, ky i fundit ka bërë të ditur se s’është në garë për të parin e vendit.
“I kam njoftuar sërish LDK-në dhe Kurtin, jam tërhequr nga gara”, ka deklaruar Sejdiu për Infokusin.
Kurti tha se PDK-ja duhet të garantojë pjesëmarrjen e të paktën gjysmës së grupit të saj parlamentar, ndërsa për zgjedhjen e presidentit, sipas tij, deputetët mund të votojnë edhe kundër kandidatit të propozuar nga LVV-ja, Bekim Sejdiu.
“Nëse duan zgjidhje, ajo ekziston dhe duhet të gjendet përmes takimit. Kërkojmë nga PDK-ja të zotohet se mund të na sjellë në seancë gjysmën e grupit parlamentar. Edhe kundër le të votojnë për Bekim Sejdiun”, ka thënë Kurti.














