Ngërçi politik në Kuvend e ka zhvendosur më larg çështjen e Presidentit, e cila megjithatë do të vijë në fillim të vitit të ardhshëm, kur Vjosa Osmanit t’i përfundojë mandati. 43-vjeçarja nuk e ka pohuar e as mohuar se do ta kërkojë edhe një mandat dhe asgjë nga plani për të ardhmen e saj politike nuk dihet. Analisti Astrit Gashi e sheh të vështirë që ajo të rizgjidhet.
Vjosa Osmani po kalon vitin e fundit si presidente, pa i deklaruar ende synimet e saj të ardhshme.
Analisti Astrit Gashi beson se “gjasat janë relativisht të vogla” që ajo të rizgjidhet shefe e shtetit, kur mandati pesëvjeçar t’i përfundojë më 7 prill 2026.
“Kjo ka të bëjë me faktin që ka një mungesë dëshire, nga Lëvizja Vetëvendosje posaçërisht, që të jetë ajo presidente dhe njëkohësisht, natyrisht edhe nga opozita”, tha ai në një prononcim për Gazetën Express.
Sipas tij, LVV-ja ka një “frikë”, që megjithatë, është skenar “vështirë i mundshëm”.
“Frika numër një që e ka sot Lëvizja Vetëvendosje është çka në qoftë se opozita, LDK dhe PDK vendosin ta votojnë edhe një herë zonjën Osmani për presidente dhe çfarë duhet të bëjnë ata. Kam frikë se në këtë formë ata do të futeshin në një situatë kur do ta kishin të pamundur të mos e votonin Vjosa Osmanin, sepse tek e fundit ajo ka qenë kandidate e tyre për presidente. Por kjo rrethanë është shumë e largët”, tha ai.
Gashi beson “nuk ka dëshirë nga partia më e madhe në Kosovë që Vjosa Osmani të jetë presidente”. Pastaj “natyrisht që vështirë është të ketë dëshirë edhe nga LDK dhe PDK”, tha ai. “Kështu që e shoh shumë vështirë të mundshme, përpos si ndonjë potez politik të befasishëm që mund ta bëjnë partitë që kanë qenë deri në këto zgjedhje në opozitë”.
Për zgjidhjen e ngërçit politik në Kuvend, Gashi nuk sheh se “do të ndërrojë diçka” shpejt.
“Presidenti ka afate kohore – shkohet në zgjedhje. Ndërsa me konstituimin e Kuvendit po e kemi problemin që s’ka afat kohor. Nuk pres që partitë politike – duke u nisur nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje më së shumti – që do të ndërrojnë diçka në këto gjashtë muaj që të kërkojnë një konsensus dhe një kompromis, përpos në qoftë se ndodhin mrekullitë në këta 3-4 muaj që jemi, gjë që s’po duket”, tha ai.
Çështja e Presidentit do të duhej të vinte në tryezë pasi partitë politike ta kalojnë sfidën e formimit të qeverisë së re – dhe ngërçi aktual e ka penguar situatën të mbërrinte deri aty.
Atë mund ta kryente një koalicion i madh – në të kundërtën, mungesa e një marrëveshjeje politike edhe për këtë, do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.
Vjosa Osmani, e cila erdhi në pozitën e presidentes në vitin 2021 si njeriu më i votuar dhe në saje të një bashkëpunimi me Albin Kurtin, i cili e mori drejtimin e qeverisë së vendit, në fund të mandatit të saj presidencial e sheh veten shumë më larg ish-partnerit të tij politik – dhe kjo jo vetëm për shkak të rolit të saj kushtetues.
Viti i fundit i mandatit të qeverisë duket sikur shënoi fundin e marrëdhënieve të mira ndërmjet Osmanit dhe Kurtit, gjë që presidentja nuk e ka fshehur.
Osmani ka thënë se të ardhmen e saj politike do ta shqyrtojë “në fillim të vitit të ardhshëm”. Në mars të këtij viti, ajo tha se vendimin për të garuar apo jo edhe për një mandat tjetër do ta marrë duke pasur parasysh “vetëm e vetëm interesin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj”.
“Përgjatë gjithë karrierës sime politike kam punuar duke pasur parasysh vetëm e vetëm interesin e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj. Asnjëherë, asnjë vendim i imi politik nuk është bazuar në kalkulimet se ku do të jem unë, por vetëm se ku do të jetë Kosova dhe qytetarët e saj. Edhe kësaj radhe, ky vlerësim rreth asaj se ku mund të kontribuojë do të përcaktohet vetëm e vetëm duke pasur parasysh interesin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj”, ka thënë ajo më 21 mars para gazetarëve.
“Asnjëherë në jetën time nuk jam varur nga politika. Nuk varem as tash. Do t’u shërbejë qytetarëve të Kosovës për aq kohë sa ata dëshirojnë që unë t’u shërbejë atyre”, shprehej ajo.
Ndonëse nuk e di nëse do të kandidojë sërish për presidente, Vjosa Osmani në shtator të vitit të kaluar shprehej e sigurt se do të mbetet e fuqishme në politikë edhe pas 7 prillit të vitit 2026.
Fitorja bindëse prej 50.28% të votave në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, që në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e heqin nga goja as tash, Osmani theksonte se ishte “rezultat i përbashkët”.
“Kur patëm kandidu ndaras, unë i pata marrë diku 200 mijë vota, 225 mijë, por kur u bashkuam pastaj i bëmë 440 mijë vota. Pra, ajo çka po them unë është që ajo ka qenë forcë e përbashkët, rezultat i përbashkët. Rrjedhimisht edhe ne të dy kemi qenë në krye të fushatës, kandidatë për president dhe kryeministër. Pra, e kemi përkrahë njëri-tjetrin. Sepse kur po përkthehet ‘jo ty të ka përkrahë Vetëvendosja’.. po kadale se reciproke ka qenë kjo gjë. Reciproke ka qenë kjo gjë”, shprehej ajo.
“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”, pati thënë Osmani, menjëherë pasi ishte pyetur se a do të vazhdojë të jetë në politikë edhe pasi t’i përfundojë mandati si presidente. Atëherë thoshte se ishte “shumë herët” që t’i deklaronte synimet e saj, apo të fliste se, siç thoshte, “si do të rrjedhë lumi i politikës”.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, të mbajtura më 9 shkurt, nxorën rezultate që parashohin pazare që mund ta përfshijnë edhe pozitën e Presidentit.
Partnerit të dikurshëm të Osmanit, Kurtit, do t’i duhej jo vetëm një partner koalicioni për ta arritur shumicën e madhe (2/3 e votave) në Kuvend që nevojitet për zgjedhjen e Presidentit.