Sot ka dështuar seanca e 33-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Gjithë këtë situatë, njohësi i çështjeve politike në vend, Azem Vllasi e ka quajtur cirk politik, me pasoja serioze për qytetarët dhe për shtetin.
“Çfarëdo llogarie që po bën VV-ja me këtë cirk në Kuvend, keq e ka. Sepse, pasojat po i shkaktohen popullit dhe shtetit. Nëse kështu mendohet të shkohet në zgjedhje të reja, edhe më keq”, ka thënë Vllasi në një prononcim për IndeksOnline.
Sipas tij, gjithë kjo situatë po e dëmton shtetin e Kosovës.
“Ky cirk po e dëmton imazhin e Kosovës edhe para miqve tanë në Perëndim dhe kudo. Serbët po bëjnë hajgare me neve. Thonë se kjo është dëshmi se nuk dimë të bëjmë shtet. E zgjidhja është shumë e lehtë. Tjetër kandidat për kryetar të Parlamentit, edhe më të mirë se kandidatja që nuk po kalon, dhe qeveri të koalicionit”, tha tutje ai gjatë bisedës.
As në seancën e sotme nuk u arrit miratimi i propozimit për formimin e Komisionit Zgjedhor, hap ky i domosdoshëm për votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Seancat janë duke u thirrur çdo 48 orë, por mungesa e kuorumit dhe konsensusit politik ka bllokuar funksionalizimin e legjislativit dhe formimin e institucioneve të reja, duke thelluar edhe më shumë krizën parlamentare.