Pjesëmarrja e papritur e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, ka demonstruar përsëri lojën e dyfishtë të Beogradit. Serbia është e vetmja nga dhjetë vendet pjesëmarrëse që refuzoi të nënshkruajë deklaratën e përbashkët që e mbështet Ukrainën përballë Rusisë.
12 qershor 2025 – Megjithë pjesëmarrjen në Odesë, Serbia nuk ka pranuar ta nënshkruajë Deklaratën e përbashkët që kërkon tërheqje të plotë të forcave ruse nga toka ukrainase.
Në margjinat e Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore, të mbajtur në qytetin-port të Detit të Zi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk e nënshkroi deklaratën e përbashkët ashtu që të mos e “tradhtojë Rusinë.”
E nënshkruar nga pjesëmarrësit e tjerë, Deklarata në fjalë e denoncon agresionin e paligjshëm rus, bën thirrje për tërheqje të plotë të forcave ruse nga Ukraina, si dhe afirmon mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.
Në fjalën e tij në samit, udhëheqësi serb, i cili muajin e kaluar ishte në Kremlin, tha se Serbia dëshiron të shkojë përtej deklaratave politike e të japë mbështetje praktike për Kyivin.
“Do të doja të merrja një ose dy qytete a regjione të cilat ne mund t’i rindërtojmë. Mendoj se kjo do të ishte shumë e qartë dhe e vërejtshme për popullin ukrainas,” ka deklaruar Vuçiq.
“Jemi të gatshëm t’ju dëgjojmë e të shohim si mund t’ju ndihmojmë.”
Mosnënshkrimin e deklaratës në Odesë, Vuçiqi e ka arsyetuar duke thënë se Serbia është e përkushtuar për të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, ku, sipas tij, përfshihet edhe mbështetja për integritetin territorial të shteteve.
“Ukraina gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen humanitare dhe politike të Serbisë për integritetin e saj territorial,” ka thënë presidenti serb duke shtuar se do të mbështeten përpjekjet për arritjen e një armëpushimi.
Ndryshe, Deklaratën e djeshme pro-Ukrainës e kanë nënshkruar edhe dy shqiptarë, më saktë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali si dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut Izet Mexhiti.
Nënshkrues të tjerë ishin edhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu; presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq; presidenti i Rumanisë Nicușor Dan; kryeministri i Bullgarisë Rossen Jeliazkov; kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq; kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis; si dhe zëvendëskryeministrja e ministrja e Jashtme e Sllovenisë Tanja Fajon.
Ndryshe, prania e Serbisë në samitin e Odesës vjen në një kohë kur qëndrimi diplomatik i Beogradit është kritikuar jo pak.
Kjo vjen kur një muaj më parë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, megjithë paralajmërimet e Brukselit, u paraqit në Paradën e Fitores në Kremlin.
Ndërkohë, në fillim të këtij muaji inteligjenca ruse ka fshikulluar Serbinë se po e furnizon Ukrainën me armatime, duke i përsëritur njoftimet e mëparshme se eksportet serbe në armë përfundojnë në Kyiv nëpërmjet vendeve të treta.
Vitin e kaluar, gazeta Financial Times bëri të ditur se Serbia ka eksportuar municione në vlerë prej 800 milionë eurosh në Ukrainë.
Të gjitha këto zhvillime kanë në sfond qëndrimin e dyfishtë të Beogradit karshi gjendjes në Ukrainë.
Sado që Serbia është vendi i vetëm në Evropë që i është shmangur vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, ajo prapëseprapë ka mbështetur disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që kanë dënuar veprimet ruse si dhe ka lëshuar deklarata në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës.