Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën vonë se ka biseduar në telefon me presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Sapo përfundova një bisedë me presidentin e sapozgjedhur amerikan, Donald Trump. Biseda ishte e shkëlqyer, me përmbajtje, dhe do të thosha shumë e përzemërt”, tha Vuçiq në Instagram.
Vuçiq ishte ndër liderët e parë botërorë që e uruan Trumpin për fitoren. Presidenti serb madje ia uroi atij kthimin në Shtëpinë e Bardhë ende pa u bërë e ditur zyrtarisht rezultatet.
Gjatë viteve që administrata amerikane është udhëhequr nga presidenti demokrat Joe Biden, Serbia dhe liderët e saj politikë kanë vazhduar të mbajnë marrëdhënie të ngushta me ish të dërguarin amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell.
Presidenti i Serbisë i dorëzoi atij një dekoratë shtetërore në tetor të vitit 2023 dhe me atë rast vlerësoi se roli i Grenellit në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës “jo vetëm që ka kontribuar për paqen dhe stabilitetin rajonal, por ka luajtur edhe një rol kyç në forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe Serbisë”.
Grenell është ende aktiv në fushatën presidenciale të Trumpit.
Ndërkohë, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka investuar në ndërtesën e ish-Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.
Serbia ka nënshkruar një kontratë me firmën e Kushnerit për “rivitalizimin” e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm në qendër të Beogradit, i cili u shkatërrua pjesërisht gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
Në vendin e rrënojave nga bombardimet, është planifikuar ndërtimi i dy ndërtesave të larta me apartamente dhe hotele, megjithëse nga ky objekt, i ndërtuar mes viteve 1955 dhe 1965, nuk është hequr statusi i mbrojtjes si pasuri kulturore.
Shumë vëzhgues të Ballkanit e kanë parë marrëveshjen me Kushnerin si përgatitje të Serbisë për kthimin e mundshëm të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Gjithashtu, gjatë administratës së parë Trump, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por shumica e pikave të saj kanë mbetur pa u zbatuar.
Në atë administratë ka pasur edhe zyrtarë që kanë folur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes tyre – por edhe për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.