E gjithë Serbia u përfshi nga një grevë e përgjithshme, ku qytetarët janë ftuar nga studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad në fillim të nëntorit.
Tubimet e protestës nuk po fashiten në vend, edhe pse kanë kaluar javë nga ngjarja e rëndë. Gjatë protestave, mediat raportuan se një vajzë është lënduar kur një makinë ka goditur një grup studentësh dhe qytetarësh në Novi Beograd.
Ajo është dërguar në një qendër të emergjencës për trajtim mjekësor. Drejtuesja e makinës që goditi vajzën tashmë është arrestuar.
Greva e përgjithshme në Serbi vjen në kohën kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq njoftoi për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”.
“Të gjithë jeni të mirëpritur në lëvizje, në lëvizjen për ndryshimet e mëdha”, tha presidenti serb, deklaroi Vuçiq, që e argumentoi këtë hap të tij me faktin se ka gjëra me të cilat nuk është i kënaqur.
Ai pretendon se kësaj lëvizjeje mund t’i bashkohen të gjithë, pavarësisht përkatësisë partiake. Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët ndryshe, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera.
Mbështetje për studentët kanë ofruar figura të shumta publike, aktorë, këngëtarë, sportistë, punonjës të medias, si dhe individë nga profesione të tjera, si avokatë, gjyqtarë, prokurorë, mjekë, edukatorë, e po ashtu edhe politikanë të opozitës në Serbi.