Partia në pushtet është hedhur një sulm të një institucioni tjetër të pavarur. Zyrtarëve të lartë të VV-së nuk iu ka pëlqyer vendimi i kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, për të respektuar aktvendimin e Gjykatës Supreme, i cili kishte urdhëruar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Për këtë arsyeje, VV-ja dje ka dorëzuar në PZAP ankesë, duke kërkuar që të anulohet vendimi i KQZ-së.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu dhe koordinatorja e Komiteteve në VV-së, Dejona Mahli, kanë thënë se vendimi i KQZ-së për të certifikuar subjektin politik serb është i paprecedent.
Të dy zyrtarët e VV-së thonë se Lista Serbe është rrezik për sigurinë nacionale.
Ata e thonë një gjë të tillë, ndonëse MBP-ja dhe MPJD-ja nuk kanë dhënë asnjë vërejte për këtë subjekt politik.
Sallahu ka bërë me dije se vendimi i KQZ-së nuk mbështetet në asnjë dispozitë ligjore.
“Sot përmes postës kemi dorëzuar ankesë në PZAP kundër vendimit të KQZ-së, i cili vendim është nxjerrë në shkelje të plotë të Ligjit për Zgjedhjet të Përgjithshme. Nuk ka asnjë dispozitë ligjore në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme që i jep tagër ligjor kryesuesit KQZ-së të nxjerrë vendim pa u votuar ose pa u pajtuar me konsensus me anëtarët e KQZ-së për nxjerrjen e atij vendimi. KQZ nuk ka nevojë për kryesues që e luan rolin e kamikazit ‘ligjor’”, ka shkruar Sallahu në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, vendimi i KQZ-së ka uzurpuar kompetencat ligjore të anëtareve të KQZ-së.
“Kësisoj, kryesuesi i KQZ-së e ka pamundësuar të drejtën e votimit anëtarëve të KQZ-së, dhe ka nxjerrur vendim pa asnjë mbështetje ligjore materiale dhe procedurale për certifikim të Listës Serbe. E kuptoj nxitimin për të certifikuar një parti e cila ka rrezikuar sigurinë nacionale me mbështetjen e parezervë të veprimeve terroriste, por nuk e kuptoj arsyen logjike dhe juridike që ky nxitim të dërgojë në uzurpim të kompetencave ligjore që i takojnë anëtarëve që përfaqësojnë Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, ka shkruar ai.
Edhe koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, mendon njëjtë.
Sipas saj, vendimi i KQZ-së është tentativë për ta kontrabanduar Listën Serbe.
“Sot u ankuam në PZAP ndaj tentativës së KQZ për ta kontrabanduar Listën Serbe, si pjesë të procesit zgjedhor. Partia e kryeterroristit Radojçiq, nuk duhet të jetë pjesë e procesit zgjedhor në Kosovë”, ka shkruar ajo.
Ditë më parë, analisti Albert Krasniqi ka bërë me dije se përjashtimi i Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit mund të bëhen me vendime gjyqësore, jo me veprime politike.
“Vetëvendosje është dashur ta dijë se ndalimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje nuk mund të bëhet me një audio-incizim të Sami Kurteshit që e lëshon nga telefoni në një mbledhje të KQZ-së. Partitë politike mund të ndalohen nga pjesëmarrja në zgjedhje vetëm përmes vendimeve të gjykatave, kur të dëshmohen lidhjet e tyre (jo të individëve) me pjesëmarrje në akte terroriste. VV, duke pasur kontroll të plotë mbi institucionet e shtetit, ka pasur mundësinë ta bëjë këtë nëse do ta kishte seriozisht”, kishte shkruar ai, duke shtuar se veprimet politike të VV-së për këtë çështje e dëmtojnë Kosovën.
“Përdorimi i këtyre rasteve për qëllime të fushatës zgjedhore vetëm sa e forcon argumentin e Serbisë dhe rrit frikën e ndërkombëtarëve se Kosova nuk është e aftë të mbrojë të drejtat e pakicave etnike. Ky është dëmi më i madh që mund t’i shkaktohet Kosovës dhe sovranitetit të saj”, kishte vlerësuar ai.
Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, me propozimin e VV-së, Lista Serbe nuk ishte certifikuar nga KQZ-ja. Me pas, Lista Serbe për këtë vendim ishte ankuar në PZAP, i cili kishte pranuar ankesën e subjektit politik serb.
Vendimin e PZAP-së VV-ja e kishte ankimuar në Gjykatën Supreme. Edhe kjo e fundit kishte rrëzuar ankesën e VV-së dhe kishte urdhëruar KQZ-në për certifikimin e Listës Serbe. Duke u bazuar në këtë aktvendim, i pari i KQZ-së ka marrë një vendim për certifikimin e Listës Serbe. Një veprim i tillë po kontestohet nga partia në pushtet, e cila dje ka dorëzuar sërish ankesë në PZAP.