Lëvizja Vetëvendosje, dega në Suharekë, ka vendosur një kioske në sheshin e qytetit, të cilën po e shfrytëzon për shpërndarjen e fletushkave dhe vizitkartave për kandidatët e saj.
Në vendngjarje është parë edhe kandidati për deputet nga kjo parti, Sali Zyba.
Komuna e Suharekës ka konfirmuar për Insajderin se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka leje për shfrytëzimin e kësaj hapësire publike.
“Dje e kanë bërë një kërkesë për shfrytëzim, por ende nuk u është miratuar. Nevojiten shtatë ditë kohë për shqyrtimin e kërkesës”, kanë deklaruar për Insajderin nga zyra e kryetarit të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.
Insajderi ka tentuar të marrë një koment edhe nga kandidati për deputet, Sali Zyba, mirëpo ai nuk ka dashur të deklarohet lidhur me rastin.
Ndërkohë, lexuesit kanë dërguar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet kioska e vendosur në shesh, si dhe prezenca e Policisë së Kosovës.















