William Walker, ish-ambasadori i Misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, nuk e di ende se çka do ta presë Kosovën gjatë mandatit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Walker tha se shumë njerëz kanë qeverisur në Amerikë në 25 vjetët e fundit, por shumë pak prej tyre i kanë kushtuar vëmendje Kosovës.
“Çfarë do të thotë për marrëdhëniet me Kosovën, nuk e di. Jam i brengosur, thellësisht i brengosur. Njerëz kanë ardhur gjatë 25 vjetëve në Departamentin e Shtetit. Njerëz të mirë, me qëllime të mira. Por, shumë pak prej tyre i kanë kushtuar vëmendje Kosovës. Diçka për të cilën duhet të krenohemi, për sa i përket mënyrës se si ishim të përfshirë 25 vjet më parë.” – tha Walker në një intervistë për KALLXO.com, gjatë vizitës së tij në “Reporting House”.
Walker shprehu një shqetësim që kosovarët dhe diaspora e Kosovës mendojnë se çkado që të ndodhë në Kosovë, Amerika do t’i shpëtojë si gjatë luftës.
“Një shqetësim që kam është se kosovarët këtu dhe kosovarët në diasporë mendojnë se nëse diçka nuk shkon, Amerika do të hyjë dhe do ta zgjidhë situatën si ne në vitet ’90-ta. Nuk do të ndodhë.” – tha ai.
Më 20.01.2025, Trump dha betimin si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej Presidentja e parë grua në Amerikë.
Republikani Trump 78-vjeçar ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë President. Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, Walker njihet për kontributin e tij në Kosovë.
Tmerrin që pa me sytë e tij në tokën e Reçakut, më 15.01.1999, Walker i ka vendosur në faqe libri, që dokumenton një nga masakrat më të përgjakshme nga lufta e fundit në Kosovë, të titulluar: “Reçak: Historia e një krimi lufte”.
Ish-ambasadori, William Walker e kishte parë nga afër krimin e kryer mbi civilët shqiptarë dhe ka pasur rol kyç për dokumentimin e Masakrës së Reçakut. /Kallxo