Analisti politik, Visar Ymeri, ka vlerësuar se ka një “zvarritje të qëllimshme” nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sa i përket procesit të shkuarjes në zgjedhje të reja pas mandatimit të Glauk Konjufcës si kryeministër.
Ymeri tha se situata politike mbetet e pandryshuar, pasi asnjë parti, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ka shfaqur vullnet për të siguruar shumicën parlamentare të nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Sipas tij, edhe vetë Konjufca e ka pranuar se nuk synon të formojë koalicion dhe nuk ka ndërmend të negociojë me partitë e tjera për votat si mandatar, çka, sipas Ymerit, e bën të qartë se procesi nuk po lëviz përpara.
“Përgjegjësia e presidentes është dashur të jetë që të thotë: me gjithë vullnetin që e kam për të shmangur zgjedhjet, po duket se ato janë të pashmangshme. Dhe nëse janë të pashmangshme, është e rëndësishme të mbahen sa më shpejt. Kjo zvarritje, nëse del si e tillë, do t’i faturohet si qëllim i keq si Vjosa Osmanit, ashtu edhe Albin Kurtit, sepse po e vonojnë rivlerësimin qytetar të partive politike duke e ditur që nuk ka shpresë për ndryshim,” tha Ymeri në Debatplus.
Ai shtoi se, sipas vlerësimit të tij, vonesat nuk lidhen me ndonjë rrezik për vendin, por me përfitime politike për aktorët kryesorë.
“Nëse e dinë që nuk kanë shans, kjo zvarritje deri tash është e qëllimshme. Dhe e dyta, kjo zvarritje për ta është përfitim, jo rrezik për vendin, siç po e paraqesin,” theksoi Ymeri.













