Në Tëvë1, Ymeri ka theksuar se LDK-ja nuk ka mbështetur dhe nuk do të mbështesë, siç u shpreh ajo, “zgjatime të partisë në pushtet”.
Ajo ka shtuar se LDK-ja nuk ka pasur numrat e mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president, duke qenë se disponon vetëm 15 vota në Kuvend.
“Nëse shkojmë në zgjedhje, nuk është dëshira jonë, por ka qenë në diskrecion të qeverisë, përkatësisht të kryeministrit Kurti. LDK-ja nuk ka pasur mundësi as të propozojë emër për president, pasi ka vetëm 15 vota. Kemi pasur mundësi të propozojmë një emër, por jo nënshkrime të mjaftueshme për të kandiduar dikë dhe për ta futur në garë. As Vjosa Osmani dhe as ndonjë emër tjetër nuk kanë qenë në garë, përveç kandidatëve partiakë, siç është rasti me Glauk Konjufcën, dhe ky skenar ka qenë i pritur. Prandaj, qëndrimi i partisë ka qenë i qartë: nuk voton dhe nuk qëndron në sallë për zgjatime të partisë në pushtet”, ka deklaruar Ymeri.
E pyetur nëse partia do të rikthehej në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje në rast të një mundësie të re për zgjedhjen e presidentit, Ymeri është shprehur se kjo mbetet e hapur.
“Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nëse ekziston një shans për zgjidhjen e çështjes së presidentit, atëherë ulemi dhe diskutojmë,” ka thënë ajo.














