Avokati, Yll Zekaj konsideron se Gjykata Kushtetuese do të vlerësoj se Kuvendi I Kosovës nuk është konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga rradhët e komunitetit serb.
Sipas Zekajt, Kushtetuesja do ta cilësoj si shkelje të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha edhe mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve.
“Unë besoj se Gjykata Kushtetuese në momentin kur vendos në mënyrë meritore do ta gjej si shkelje nga ana e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha edhe mënyrën e zgjedhjes së nënkryetarëve, por edhe konstatimin që kemi një Kuvend të konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë përkatësisht nënkryetarit nga Lista Serbe”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Tutje, Zekaj ka thënë se që nga pakoja e Ahtisarit e deri te Kushtetuta e Kosovës është e krijuar në atë mënyrë që të përfaqësohet fryma e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës.
“Eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje mund të bëjnë populizëm dhe politikë, por kjo nuk qëndron absolutisht. Që nga pakoja e Ahtisarit e deri te Kushtetuta e Kosovës është e krijuar në atë mënyrë që të përfaqësohet fryma e komuniteteve në Kuvendin e Kosovës”, ka theksuar Zekaj.