Paneli i Apelit i Dhomave të Specializuara të Kosovës ka zgjatur afatin për dorëzimin e njoftimeve për apel në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas vendimit të publikuar më 29 shtator, Paneli ka vendosur që mbrojtja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, nëse dëshirojnë të apelojnë aktgjykimin, t’i dorëzojnë njoftimet për apel deri më 27 nëntor, shkruan Insajderi.
Afati fillestar ishte 16 tetori. Paneli ka vlerësuar se gjatësia dhe kompleksiteti i aktgjykimit, si dhe afatet e tjera që palët duhet t’i përmbushin, përbëjnë arsye të mjaftueshme për zgjatjen e afatit.
Gjykata kishte kërkuar nga mbrojtja që afati të zgjatej deri më 15 dhjetor, por Paneli e ka konsideruar këtë kërkesë joproporcionale dhe ka vendosur për një zgjatje prej gjashtë javësh, duke e caktuar 27 nëntorin si afat përfundimtar.
Në vendim thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë është 2,089 faqe, duke u cilësuar si aktgjykimi më i gjatë i nxjerrë deri tani nga Dhomat e Specializuara.
Më 16 shtator 2026, Thaçi ishte dënuar me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet dhe Krasniqi me 25 vjet burgim.














