Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji sot ka lincencuar për tregtim të energjisë kompaninë “Management & Development Associates L.L.C.”, e cila është themeluar nga Luan Dali, shef i kabinetit të kryeministrit Albin Kurti.
Në njoftimin për media, ZRrE ka treguar se në këtë mbledhje një licencë e tillë i është dhënë edhe një kompania tjetër.
“Më 10.07.2025, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për energji ka mbajtur seancën e tetë (VIII) për vitin 2025. Në këtë seancë Bordi ka shqyrtuar dhe aprovuar aplikacionet për licencim të aktivitetit për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike të “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k”, ka njoftuar ZRrE-ja, duke dhënë detaje tjera nga kjo mbledhje.
“Në këtë seancë janë shqyrtuar dhe aprovuar edhe kërkesat e njëmbëdhjetë (11) subjekteve juridike dhe katërmbëdhjetë (14) personave fizik për marrje të autorizimit për vetë-konsum, me kapacitet total të instaluar prej 1282 kË. Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji. Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE-së do të publikohen në faqen elektronike të ZRRE-së”, është thënë në njoftimin e ZRrE-së.
Para një muaji, ishte raportuar se kompania e vëllait të këshilltarit të Kurtit, Luan Dalipit, i kishte hyrë rrugës për tregti me rrymë, duke aplikuar për licencë.
Lajmin për aplikimin e kompanisë në fjalë e kishte bërë të ditur PDK-ja.
Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, kishte publikuar dokumentin që dëshmonte se kompania MDA, ku kishte punuar edhe vet Luan Dalipi, është rrugës për të hyrë në tregtimin e energjisë elektrike.
“Luan Dalipi është themelues dhe njëkohësisht ka qenë pronar i kësaj kompanie. Pra, MDA e shefit të stafit të kryeministrit, që sot drejtohet nga Driton Dalipi, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike”, kishte thënë Tahiri.
Ky lajm kishte nxitur një debat të madh në shoqërinë kosovare.
Reagimet e shumta e kishin detyruar të dilte me një sqarim edhe Luan Dalipin.
Përmes një statuti në “Facebook”, Dalipi i kishte uruar suksese vëllait të tij.
“Unë kam shërbyer me dinjitet dhe përkushtim në këtë Qeveri tash e katër vjet. Kjo nuk do të thotë që e gjithë familja ime ka hyrë në Qeveri. E as që duhet të paragjykohet për lidhje farefisnore me mua. Unë e inkurajoj Dritonin që të jetë sa më i suksesshëm në biznes, ashtu siç e bëj me secilin tjetër në sektor privat. (Lexoni biografinë e shkurtër timen në fund të këtij postimi për ta kuptuar më mirë pse e them këtë.)”, kishte shkruar ai.
Në reagimin e tij, Dalipi kishte sulmuara edhe mediat.
“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem (as nuk ishte për t’u pritur ndryshe). Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë. Portalet që e bënë këtë “Breaking Neës” ndoshta kanë nevojë për pushim veror… ose një kurs bazik në ekonomi. Kurse për ata që duan të dinë më shumë – lexoni më poshtë”, kishte shkruar ai.