Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka njoftuar se sot ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku thotë se komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.
Bislimi ka sqaruar se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.
Ai ka kërkuar heqje të plotë të masave, meqë siç ka thënë, s’ka më asnjë arsye që të mbesin në fuqi.
“Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro. Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka shkruar Bislimi.
Bislimi ka publikuar edhe letrën e pranuar nga Koopman.











