Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se s’kishin kapacitet që t’i ndajë shpenzimet individuale të Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani.
Agjencia për Informim dhe Privatësi e dënoi me 13 mijë euro MPJ-në pasi nuk kishin ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit Prindon Sadriu gjatë periudhës shkurt 2019- shkurt 2022.
Për këtë, Gërvalla tha në një konferencë për media se duhet reformë në MPJ që të mund t’i ndajnë shpenzimet individualisht.
“Sa i përket 13 mijë eurove. Gjoba e cila është shqiptuar.. mund t’ju them vetëm atë çështjen ashtu siç është. Ne kemi pasë një kërkesë për shpenzime individuale të një diplomati të caktuar. MPJ në sistemin e saj, shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, nuk i ka të ndara individualisht. Nuk e kemi kapacitetin sa i përket personelit momentalisht dhe prandaj edhe reforma në këtë institucion është edhe më e nevojshme, që të ndajmë shpenzimet veç e veç”, tha ajo.
Gërvalla tha se ka marrë vendim që të publikohen të gjitha shpenzimet, por nuk siguroi nëse ato do të jenë të ndara individualisht.
“Shpenzimet sa i përket misionit janë në dispozicion. Nuk ka asnjë… Vendimi nga ana e sekretarit është marrë kohë më parë që të përgatiten shpenzimet, duke filluar nga shpenzimet e kabinetit me qëllim që të sigurojmë një transparencë. Jemi në aspektin e realizimit teknik. Vendimi politik është marrë për publikimin e tyre”, tha kryediplomatja.
“Janë shpenzime të arsyeshme dhe paranë publike jo që vetëm nuk e shpërdorojmë, por e menaxhojmë me shumë kujdes dhe me shumë fanatizëm”, shtoi ajo.












