Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale ku shihen duke vepruar kundërligjshëm po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Kështu e ka pësuar një vajzë e re në Vushtrri.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 18-vjeçarja kishte publikuar video në rrjetin social Snapchat, ku shihej duke shtënë me armë zjarri në ajër.
Pas veprimeve hetimore të ndërmarra nga Policia, është arritur që të identifikohet e dyshuara e cila është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Para hetuesve policorë, e reja ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet, duke thënë se këtë e ka bërë në shenjë feste për ditëlindjen e saj.
E për armën të cilën dyshohet se e përdori në rast, e dyshuara tha se e ka huazuar nga i dashuri i shoqes së saj, me të cilët kishte shkuar në fshatin Shallc për të festuar ditëlindjen në një shtëpi të pabanuar.
Kjo ka bërë që të shoqërohet në stacion policor dhe i dyshuari i dytë, i cili e ka pranuar se arma në fjalë është në pronësi të tij dhe të njëjtën ka treguar se e mban në shtëpinë e tij. Njësitë policore kanë sekuestruar armën ilegale bashkë me një karikator dhe fishekë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti për veprat ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’.













