
Bashkëlojtari i kosovarit Florent Hadergjonaj te Kasimpasas në Superligën turke, Fode Koita, ka folur për përjetimin e tmerrshëm që i ndodhi gjatë tërmetit vdekjeprurës në Turqi të hënën, duke treguar se si shpëtoi nga më e keqja.
Turqia jugore dhe Siria veriore u goditën nga një tërmet i fuqishëm 7.8 ballësh të hënën herët në mëngjes, duke i vrarë mbi 11 mijë njerëz në të dy vendet.
Koita ndodhej në Hatay bashkë me përfaqësuesin e Kosovës Hadergjonaj dhe pjesën tjetër të skuadrës së Kasimpasa pas ndeshjes së Superligës turke kundër Hatayspor, kur ndodhi tërmeti që e shkatërroi këtë qytet.
“Rashë nga shtrati për shkak të fuqisë së tërmetit. Më kapi paniku nga zgjimi brutal prej gjumit, sepse në fillim nuk kuptoja se çfarë po ndodhte. Në dhomë e pashë çdo objekt duke lëvizur dhe në atë çast e kuptova që ishte tërmet. Ato dy minuta u dukën sikur një orë. E kuptova se duhej të dilja jashtë ndërtesës sa më shpejt”, tha Koita.
32-vjeçari tha se ata shpëtuan vetëm falë ndërtesës së qëndrueshme të hotelit ku po qëndronin dhe tregoi se si ishin strehuar në autobus gjatë natës, për shkak të ftohtit të madh dhe frikës nga dridhjet e tjera të tokës.
“Fatmirësisht ndërtesa ishte shumë e qëndrueshme dhe nuk u shemb. Ne dolëm shpejt nga ajo dhe u strehuam në autobus. Ishte shumë ftohtë. Fëmijët ngrinin nga të ftohtit. Ata nuk ishin të veshur siç duhet sepse kishin ikur shkallëve”, shtoi ai.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga tërmeti në Turqi që prej ditës së hënë është rritur në 8,574, sipas autoriteteve vendase.
Në Siri thuhet të kenë vdekur mbi 2,662 njerëz nga ky tërmet në zonat e kontrolluara nga qeveria dhe nga rebelët.
Turqia është njëra prej zonave më aktive të tërmetit në botë, për shkak të pozitës gjeografike.
Futboll / Milot Rashica: S’e kam dëgjuar tërmetin tragjik, lutem që të ketë sa më pak viktima
Shumica e Turqisë ndodhet në pllakën tektonike të Anadollit, e cila ndodhet mes pllakave të mëdha – euroaziatike dhe afrikane – si dhe mes një të vogle, arabike. Derisa dy pllakat e mëdha lëvizin, Turqia shtrydhet, thonë ekspertët.
Kjo nënkupton se tërmetet janë shumë të zakonshme në Turqi. Sipas Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë, në vitin 2022 u regjistruan hiç më pak se 22 mijë tërmete në Turqi.
Shumica e tërmeteve në këtë vend janë vdekjeprurëse. Tërmeti më i madh që e kishte goditur Turqinë deri sot ishte 7.6 ballësh në Izmit më 1999, duke i vrarë 17 mijë njerëz.
Tërmeti që goditi mëngjesin e sotëm, 7.8 ballësh, është më i madh që është regjistruar ndonjëherë në Turqi.












