
Myrtë Zeneli është lindur më 11 tetor të vitit 1962 në fshatin Shqiponjë, ish-Jabllanicë. Ai shkollën fillore e ka mbaruar në fshatin Zhebel, ndërsa shkollën e mesme në Gjakovë.Myrtë Zeneli ka marrë pjesë aktive në demonstratat që janë zhvilluar në vitet 1989-1990, kurdoherë në ballë të tyre.
Qysh në tetor të vitit 1995, ai ka vënë kontakt me radhët e grupeve të para ilegale të UÇK-së për Dukagjinin.Në prill të vitit 1998 komanda e zonës e ka emëruar Zenelin epror në njësitin sulmues të Dushkajës. Qysh prej asaj kohe, Myrtë Zeneli ka marrë pjesë në luftimet e shumta kundër okupatorit në Sukë të Cërmjanit, në Kralan, Jabllanicë, Qeskovë e pika të tjera.Në Këpuz, në maj të vitit 1998 janë zhvilluar luftime ballë për ballë me forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe. Në ato përleshje direkte kanë marrë pjesë: Myrtë Zeneli, Agim Zeneli, Naser Brahimaj, Alush Agushi nga Drenoci i Klinës dhe shumë luftëtarë të tjerë.Beteja ka qenë vendimtare, ndërsa goditja e helikopterit ushtarak serb nga mitralozi kundërajror dhe rrethimi që i ishte bërë forcave serbe në Qafë të Dollovës, kanë shënouar kulmin e furisë së luftëtarëve të Dukagjinit kundër barbarisë armike, ndërsa luftës çlirimtare i kanë dhënë impulse jashtëzakonisht të fuqishme.










