Në Kosovë viteve të fundit janë rritur në mënyrë ekspansive shërbimet e Filler dhe Botox, por që shumica janë ofruar dhe po ofrohen në mënyrë të kundërligjshme, pasi që ofruesit e injektimit të tyre nuk janë të licencuar. Për dallim nga shërbimi filler për ofrimin e të cilëve janë të lëshuara disa licenca, ofrimi i shërbimit të Botox-it është krejtësisht i ndaluar në Kosovë, pasi që asnjë subjekt juridik nuk është i licencuar.
Në muajin dhjetor me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor kishin zhvilluar një aksion të gjerë për kontrollimin e bizneseve që ofrojnë shërbimin e injektimit të botox-it, pasi që asnjë subjekt jurudik në Kosovë nuk është i autorizuar për ofrimin e këtij shërbimin.
Në mesin e subjekteve private shëndetësore të kontrolluara kishte qenë edhe “Qei Beauty Academy” Sh.P.K. me pronare Aida Obertinca Kosumi.

Veriu.info ka siguruar një raport inspektimi të Inspektoratit Shëndetësor të realizuar gjatë këtij aksioni, ku është konstatuar se “Qei Beauty Academy” për 3 vite me radhë ka ofruar pa licencë (ilegalisht) shërbimin e injektimit të botox-it dhe fillerëve.
Po ashtu, gjatë inspektimit është konstatuar se “Qei Beauty Academy” nuk ka licencë, ku me procesverbal i ishte ndaluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe i ishte vendosur shenja e ndërprerjes së përkohëshme të veprimtarisë.


“Bazuar ne deklaratën e doktoreshës së lartpërmendur botoxin dhe fillerat në këtë subjekt ka filluar t’i aplikoj tek klientët afërsisht para 3 viteve, deklaratë e dhěnë edhe në prani të policisë. Në pyetjen nga Inspektorati Shëndetësor se ku i evidenton klientët tek të cilët aplikon botoxin dhe fillerët, ajo deklaron se nuk i evidenton askund”, thuhet ndër të tjera në raportin e Inspektoratit Shëndetësor.
Pas inspektimit me vendim të inspektores Hikmete Blakqori, “Qei Beauty Academy” është gjobitur me një shumë simbolike prej 1 mijë euro, të cilën nëse e paguan për 15 ditë lirohet nga 50% e shumës.




Pra, përkundër që “Qei Beauty Academy” e Aida Obertinca Kosumi ka injektuar botox e filler për 3 vite ilegalisht, ka marrë gjobë vetëm 1 mijë euro.
Favorizimi që inspektorja Hikmete Blakqori i ka krijuar me rastin e gjobitja “Qei Beauty Academy” vërehet qartazi nëse kjo shumë krahasohet me gjobën që i është shqiptuar kliniës “Miliona”, e cila është gjobitur me 3 mijë euro për mungesë licence dhe ofrim të shërbimit të fillerëve.
Ndërsa, “Qei Beauty Academy” nuk ka pasur licencë, përveç fillerëve, për 3 vite ka injektuar edhe botox dhe e njëjta është gjobitur me vetëm 1 mijë euro.
Në lidhje me mbylljen dhe gjobitjen e “Qei Beauty Academy”, Veriu.info ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka konfirmuar se gjoba është paguar, ndërsa ky biznes nuk është licencuar akoma.
Përkundër që me procesverbal i është vendosur shenja e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe që pas gjobës nuk ishte licencuar, të paktën deri më 5 mars kur Veriu.info ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, “Qei Beauty Academy” ka vazhduar njoftimet për caktim të termineve dhe ofertat për klientë.
LEXONI EDHE:














