Ndaj deklaratës së analistit politik, Shkëzen Maliqi për gazetën serbe “Danas” se serbët mund të rezistojnë në mënyrë të armatosur me 1 shtator, ka reaguar zyrtari i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi.
Duke e quajtur Maliqin ish-këshilltar të kryeministrit shqiptar Edi Rama, Zaimi ka pyetur se për çfarë do të rezistojnë serbët. Ai ka konstatuar se serbët në Kosovë janë të barabartë dhe nuk diskriminohen sikur shqiptarët në Jugosllavi.
“Ish këshilltari i km. Rama, Shkëlzen Maliqi, për median serbe Danas paska thënë se serbët më 1 shtator do rezistojnë me armë. Por për çfarë do të rezistojnë? Kundër barazisë me shqiptarët? Betejat e tilla janë të humbura. Nuk ka më vend për popuj të dorës së parë e popuj të dorës së dytë, apo të dorës së tretë siç diskriminoheshin shqiptarët në Jugosllavi”, ka shkruar Zaimi në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas Zaimit, çdo komunitet, sado minoritar, në Kosovë gëzon të drejta dhe akses institucional më shumë se në çdo vend të Ballkanit.











