Ndonëse takimi po mbahej vetëm një muaj pasi ishin arrestuar krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, kryeprokurori famëkeq, Jack Smith, ishte lëshuar në konstatime të rënda e të pabesueshme, se të njëjtit “do të dënoheshin me burg të përjetshëm”.
Ishte ditë e martë e datës 8 dhjetor të vitit 2020. Kryeprokurori i atëhershëm i Gjykatës Speciale, Jack Smith, dhe Kryetarja, Ekaterina Trendafilova, po mbanin një takim, të ashtuquajtur informues me ambasadorët e shteteve të akredituara në Kosovë. Ndonëse takimi po mbahej vetëm një muaj pasi ishin arrestuar krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, kryeprokurori famëkeq, Jack Smith, ishte lëshuar në konstatime të rënda e të pabesueshme, se të njëjtit “do të dënoheshin me burg të përjetshëm”.
“Ai tha se sipas aktakuzës së tij të dorëzuar kundër Thaçit, e cila mbështetet në çdo fjalë nga provat dhe dëshmitarët, Thaçi, Veseli dhe të tjerët do të marrin dënim me burgim të përjetshëm nga gjykata për krimet që ata kanë kryer”, thuhet në dokumentin që ka siguruar VOX Kosova, i cili flet për detajet e takimit dhe fjalët që ishin thënë aty.

Smith nuk thoshte as “mendoj”, as “besoj” e as “kërkoj”. Thoshte, “do të dënohen”. Për më tepër, rrethanat rëndoheshin pasi që e pranishme aty ishte edhe Trendafilova, e cila, nuk e bënte asnjë reagim ndaj kësaj fjalie të pabesueshme të Smith, duke shkelur kështu rëndë parimin e prezumimit të pafajësisë për të akuzuarit.
Mosreagimi i Trendafilovës nuk ishte skandalizimi i vetëm i saj në këtë takim. Aty, ajo fyente edhe simbolet shtetërore të Kosovës. Sipas dokumentit me detaje, ajo e konsideronte provokim pse avokati i Thaçit ka pyetur “pse s’ka simbole të Kosovës në Speciale”, duke kërcënuar se po të bëhej sërish një pyetje e tillë, “gjykata s’do të ishte kaq e sjellshme ndaj tij”.
“Ambasadori gjerman e pyeti atë pse flamuri dhe simbolet e Kosovës nuk shfaqen në Gjykatë, ashtu siç pyeti edhe avokati i Thaçit. Trendafilova tha se Dhomat e Specializuara janë një institucion kompleks që bashkon profesionistë nga shumë vende dhe financohet nga BE-ja dhe vendet e tjera donatore. Ajo tha se avokati i Thaçit e testoi dhe e provokoi gjyqtarin, duke synuar të krijojë një debat politik në Kosovë që do t’i delegjitimonte Dhomat e Specializuara, por gjyqtari i procedurës paraprake ishte i sjellshëm dhe respektues ndaj tij, gjë që nuk do të jetë rasti në raste të tjera nëse kjo ngrihet përsëri, sepse e gjithë pyetja ka një qëllim të pastër politik për t’i paraqitur Dhomat e Specializuara si diçka të huaj për popullin e Kosovës”, thuhet tutje në dokumentin që ka siguruar VOX Kosova me detajet e këtij takimi.

Takimi i Smith dhe Trendafilova ishte mbajtur i fshehur nga opinioni, e për detajet dhe temat e diskutuara aty nuk ishte lëshuar komunikatë.
Në procesverbal thuhej se të ngjashme takime ishin mbajtur me ambasadorë të BE-së edhe në Beograd.













