Ismet Asllani, pronari i “Kashtanjeva Dekor”, është në mesin e shtatë të arrestuarve nga Policia e Kosovës në aksionin “Brezovica”.
Ismet Asllani

Asllani është një nga tre personat e arrestuar, të cilin e përmendi kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, i cili pronarit të “Kashtanjeva Dekor” iu referua vetëm si “investitor”, raporton Insajderi.
“Në këtë aksion, me vendim të Prokurorit është ndaluar edhe një qytetar, respektivisht një investitor i një lagjeje në Brezovicë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Ushtrim i ndikimit dhe dhënie e ryshfetit’”, tha Jashari në konferencën e orës pesë.
Sipas doSjes hetimore të rastit Brezovica, Asllani që merret me prodhimin dhe montimin e produkteve nga druri, dyshohet se ia dha 40 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq, në këmbim të marrjes së lejes ndërtimore.
Asllani dhe dy të arrestuarit e tjerë, kryeinspektori i ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Arben Çitaku, janë ndalur për nga 48 orë.
“Bedri Halimi, Kryeinspektor i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është ndaluar për shkak të dyshimit të bazuar se e ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar. Arben Çitaku, ish-sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor për shkak të dyshimit se ai ka kryer keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe marrje të ryshfetit“, ka thënë Jashari.
Ndërkohë, pesë persona të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim nga Policia, sipas zyrtarit policor, Agron Haziri.
“Operacioni ka rezultuar me 4 persona të arrestuar. Një person i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt. 3 persona të tjerë janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit dhe 5 persona janë në kërkim policor”, tha Haziri.
Policia e Kosovës aksionin e sotëm, të njohur si Brezovica, e ka zhvilluar në tri lokacione: Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë.













