
Mbrëmë pas mesnate një nënë në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë u detyrua të largohet nga banesa e saj për shkak të frikës nga i biri që i shkoi te dera dhe i kërkonte para.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se viktima ka dalë në rrugë dhe ka kërkuar ndihmë nga Policia pasi u ballafaqua me djalin e saj.
I dyshuari fillimisht i shkoi te dera e banesës, duke e goditur derën e hyrjes. Posa nëna e tij ia ka hapur derën, ai ia ka marrë telefonin nga dora dhe në mënyrë agresive ia ka kërkuar 400 euro, gjoja se për t’u shëruar nga narkotikët.
Ajo situatë e frikësoi viktimën, e cila u detyrua ta lë banesën dhe të largohet. Me të marrë informacionin, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka intervistuar viktimën dhe vajzën e saj, derisa i dyshuari nuk është gjetur.
Pas denoncimit të rastit, prokurorja ka udhëzuar që të iniciohet rasti “dhunë në familje”, ndërsa të vazhdojnë hetimet për kapjen e të dyshuarit.












