Janë publikuar pamjet nga tuneli i nëndheshëm që një grup kriminal kishte gërmuar disa metra për të arritur në një bankë dhe për ta grabitur.
Mësohet se grupi i grabitësve kishte punuar prej disa javësh për të arritur pranë bankës së nivelit të dytë në zonën e Bulevardit “Zogu i Parë”.
Në foto shihet se pas zbulimit të kësaj skeme, vrima është bllokuar dhe është salduar me një rrjetë hekur.

Lëvizjet e një personi që kanë ngjallur dyshim të policia kanë hedhur në erë planin e grupit për të grabitur një filial banke në Bulevardin Zogu I në Tiranë.
Fillimisht policia siguroi informacion përmes rrugëve operative mbi lëvizjet e grupit dhe më pas kanë vënë në vëzhgim vendin se ku ata vepronin duke konstatuar një person të dalë nga puseta pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Ai ishte i kamufluar me veshjen e punonjësve të mirëmbajtjes. Teksa policia iu vu në ndjekje, ai hodhi në pusetë një armë pistoletë, që më pas u dërgua në laborator për të përfituar shenjat e gishtave.

Abcnews.al ka siguruar foto nga brenda tunelit ku grupi në fjalë punonte prej një muaji.

Hetuesit kanë dyshime se grupi i grabitësve kishin dijeni të plotë mbi planimetrinë se ku të nxirrte ky tunel, ndërsa kanë përfituar edhe nga zhurma që bëhej nga matrapiku për prishjen e një pallati aty pranë.
Objekt hetimi tashmë janë edhe disa punonjës të mirëmbajtjes së tuneleve nëntokësore apo elektricistë. Ata kanë pasur planimetrinë e zonës dhe dyshohet se kanë bashkëpunuar me grabitësit duke ua vënë atë në dispozicion.
Lexo edhe: Tentohet grabitja e bankës së nivelit të dytë në Tiranë, autorët do hynin nga kanalet e ujërave të zeza
Policia është duke kryer veprime që do t’i çojnë deri në identifikimin e autorëve. Ndërsa referimi në Prokurori është kryer për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.












