
Ish nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka dhe ish Drejtori i Drejtorisë për Gjeoezi e Kadastër, Hysen Muzliukaj, ishin arrestuar më 14 korrik nga policia me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin e kryerjen së veprës penale ’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Një ditë pas arrestimit, Mujka e Muzliukaj kanë dalë para Gjykata Themelore ne Prishtine, ku gjykatësi nuk ka pranuar kërkesën e prokurorit për caktimit të masës së paraburgimit, por ka aprovuar kërkesën e avokatit të Hysen Muzliukajt që të lirohen në procedurë të rregullt, përderisa avokati i Faruk Mujkës kishte deklaruar se është dakord edhe me masën e paraqitjes së të pandehurit Mujka në stacion policor. Pra, të dy të pandehurit janë plotësisht të lirë dhe procedurat e mëtutjeshme ligjore do të zhvillohen pa ndonjë masë kufizuese ndaj tyre.
Veriu.info ka siguruar ekskluzivisht vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku është është aktvendim refuzues ndaj kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Hysen Muzliukaj dhe Faruk Mujka, me çrast gjykata ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre nga masa e ndalimit.

Në faqen 2 të aktvendimit të Gjykatës nis arsyetimi i lirimit të tyre, ku shpjegohet se fillimisht Prokuroria Speciale e Kosovës vlerëson që dy të pandehurit “me dashje kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo tjetrin, duke tejkaluar kështu kompetencat e tyre zyrtare”. Po ashtu shpjegohet se Mujka dhe Muzliukaj vetëm kanë bërë propozim-vendim drejtuar Kuvendit Komunal, për këmbimin e një prone komunale dhe pronën private të një personi fizik.

Pas dëgjmit të deklaratave të prokurores Iliriana Çollaku, avokatëve të të pandehurve dhe vet të të pandehurve, në faqe 5 te aktvendimit thuhet: “ Gjykata pas dëgjimit të palëe në procedurë dhe pas analizimit të kërkesës dhe shkresave të lëndës, gjeti se kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit nuk është e bazuar”.

Në faqe 6 të aktvendimit të gjykatës të siguruar nga Veriu.info, ndër të tjera thuhet: “nga provat e bashkëngjitura në kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në asnjë provë personale apo materiale nuk e mbështesin dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritet zyrtar”.

Po ashtu në faqe 8 dhe 9 të aktvendimit të gjykatës thuhet: “Në rastin konkret e bazuar në dosjen e lëndës, qartazi shihet se të pandehurit kanë vepruar në kuadër të kompetencave të tyre zyrtare, ashtu që i pandehurit Hysen Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në komunën e Mitrovicës, pas përgatitjes së dosjes, përmes nënkryetarit të komunës së Mitrovicës, gjegjësisht të pandehurit Faruk Mujka kanë bërë propozimin që prona në fjalë të këmbehet për interes publik dhe ky propozim ishte futur në rend dite për trajtim në mbledhjen e 44 të rregullt të Kuendit të Komunës më datë 29.04.2021, ku Kuvendi Komunal me shumicë të votave (pa asnjë kundër) e ka miratuar propozimin e lartëcekur, fakt ky që vërtetohet edhe nga procesverbali i mbledhjes. Ku është pas ishte nxjerrë vendim nga kryetari i Kuvendit për lejimin e këmbimit të pronës dhe i njëjti është dërguar në Ministrinë e Pushtetit Lokal për Vlerësim të Ligjshmërisë. Më pas MAPL ka vlerësuar së ky vendim për këmbimin e pronave është është në pajtim të plotë me dispozitat ligjore në fuqi. I njëjti është dërguar edhe në Ministrinë e Financave për vlerësim, dhe që të dy ministrit e kanë vlerësuar si vendim ligjor, përkatësisht në harmoni me dispozitat ligjore, duke mos gjetur shkeljeligjore.”

Në faqe 9 të aktvendimit të gjykatës të siguruar nga Veriu.info, thuhet se: “Nga provat e lartëcekur, gjykata nuk gjen se të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat e tyre të parapara me ligj, pasi që bazuar në nenin 25, paragrafi 6 të ligjit nr.06/L-092 për dhënien në Shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, i cili ka përcaktuar qartë se Kuvendi i Komunës pas shqyrtimit të propozimit të kryetarit vendos me votim, pra më shumicë të votave. Bazuar në këtë dispozitë, qartazi shihet se vendimmarrja i takon Kuvendit Komunal (v.j.: 35 asamblistëve) dhe jo drejtorit apo nënkryetarit të komunës … Propozimi ka qenë në kuadër të kompetencave të tyre ligjore dhe në aspektin juridik propozimet nuk kanë efekte juridike, sepse nuk shkaktojnë pasoja apo efekte juridike, pasi që vendimmarrja lidhur me këtë propozim sipas ligjit i takon Kuvendit Komunal.”

Ndryshe, prej vitit të kaluar Faruk Mujka ushtron detyrën e Kryeshefit Ekzekutiv të ndërmarrjes ‘Ibër Lepenc’, ndërsa Hysen Muzliukaj detyrën e këshilltarit politik në Ministinë e Bujqësisë./Veriu.info











