Kryeministri Albin Kurti ka nisur sot fjalën e tij në Akademin përkujtimore për nder të Epopesë së UÇK-së me një kërkimfalje, për një gabim të bërë dje në Kuvend.
Për këtë gabim, pati edhe një arsyetim.
“Fillimisht më lejoni t’ju kërkoj falje që në tekstin e fjalimit të djeshëm më është përvjedhur një gabim, dhe, kam thënë që, Besarta është vajza e Kryekomandantit Adem Jashari, në vend se të them e Hamëz Jasharit”, tha Kurti.
Më pas ka vazhduar me shpjegimin se pse e ka bërë këtë gabim.
“Mirëpo shtrohet pyetja pse nuk e vërejta këtë gabim, teksa e lexoja tekstin. Ka mundësi që kjo është për shkak se shpeshherë më ngjan që të gjithë ne që jemi gjallë, jemi fëmijë të Kryekomandantit Adem Jashari”, ka thënë Kurti.
Në seancën solmene të Kuvendit, kryeministri iu drejtua Besarta Jasharit, si vajza e Kryekomandantit Adem Jasharit.
“E vetmja e mbijetuar e familjes Jashari nga kjo masakër, që ka arritur të tregojë ngjarjen si e ka parë me sytë e saj – është vajza e kryekomandantit Adem Jasharit – Besarta”, kishte deklaruar Kurti.












