Veriu.info ka raportuar eksklzuvisht para katër ditësh se në Mitrovicë janë arrestuar nga Policia e Kosovës tre persona nën dyshimin për vjedhje të identitit, ku në mesin e të arrestuarve ishte edhe një shtetas i Shqipërisë.
Më pas më komunikatë kishte dalë edhe Policia, ku tregonte se pas trajtimit të një informate nga hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Mitrovicë, tre persona janë dërguar në mbajtje nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘vjedhja e identitetit’, ‘legalizim i përmbajtjes së rreme’ dhe ‘deklarim i rremë’.
Sot mediat raportuan se shtetasi i Shqipërisë i arrestuar në këtë rast ishte Aldo Majnishta, i dyshuar si pjesëtari i një grupi kriminal të kërkuar nga Shqipëria, i cili akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, rast ky që ka ndodhur më 17 janar të vitit 2020.
Burime të Veriu.info nga Prokuroria e Mitrovicës bëjnë të ditur së me rastin e arrestimit të tij më 2 gusht, ishin arrestuar edhe Shefki Hyseni dhe Besnik Deliu, qytetarë të Mitrovicës, që të dy të njohur për Policinë në Mitrovicë për raste të mëhershme.
Ndryshe, në maj të këtij viti Shefki Hyseni pretendonte se është viktimë e fajdeve, duke thënë se për shkak të rreziqeve, kërcënimeve e shantazheve të fajdexhinjve, e ka lënë Kosovën duke shkuar në Spanjë.
Por nuk dihet se si Shefki Hysenit iu largua ‘rreziku’ për vetëm tre muaj dhe erdhi në Kosovë për t’u përfshirë në nxjerrjen e dokumenteve të faksifikuara me Aldo Majnishtën, ndaj të cilit Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e Tiranës, në vitin 2022, i ka caktuar 29-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.
Kujtojmë se Dion (ish-Hamdi) Rashica i cili po akuzohet për fajde nga Shefki Hyseni kishte reaguar ndaj shkrimeve në muajin maj 2023, ndër të tjera duke thënë: “Personi në fjalë me ka mua borxh dhe këtë e di edhe prokurori dhe atë borxh nuk ia fali, sepse ka vite që nuk më përgjigjet. Ky person është mashtrues”.