Qeveria e Kosovës i ka ndarë mbi 254 mijë euro për nxënësit e shkollave fillore në Luginë të Preshevës. Këto të holla do shërbejnë për të blerë tekste mësimore.
Në mbledhjen e 154-të, Qeveria e Kosovës i ka ndarë mbi 254 mijë euro për nxënësit e shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
“Për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe, ndamë 254.562 euro”, thuhet në postimin e kryeministrit Albin Kurti në Facebook.
Po ashtu në këtë mbledhje janë marrë edhe një sërë vendimesh të tjera që kanë të bëjnë me mërgatën, marrëveshje ndërkombëtare, për ndalimin e fëmijëve të hyjnë në klube të natës e kështu më radhë.
Postimi i plotë:
Në mbledhjen e 154-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës:
– Për t’i pajisur nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në komunat Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc me tekste mësimore në gjuhën shqipe, ndamë 254.562 euro;
– I dhamë në shfrytëzim Komunës së Prishtinës pronë të paluajtshme për familjen shtatë anëtarëshe, përfituese e skemës sociale;
– Për të forcuar lidhjen e mërgatës me institucionet e Republikës përmes Programit për Diplomaci Qytetare do të angazhohen edhe 25 profesionistë të rinj nga mërgata;
– U hapëm udhë dy marrëveshjeve ndërkombëtare për:
– zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve, si dhe
– përmirësimin e rehabilitimin e sistemeve të ujitjes.
– Plotësuam Programin Legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023;
– Miratuam dy udhëzime administrative, për:
– masat e duhura parandaluese dhe mbrojtëse për ndalimin e pjesëmarrjes së fëmijëve në klubet e natës dhe hapësira të tjera të ngjashme; dhe
– ambalazhin e mbeturinat e ambalazhit.













