Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në konferencën për media pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se bashkë kanë diskutuar për situatën në Veri.
“Vlerësova se pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet koordinim edhe më i mirë dhe më i ngushtë me partnerët tanë kryesore, SHBA dhe BE, për të gjitha veprimet e ndërmarra. Askush nuk mund të vërë në pyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe të drejtën për të zbatuar ligjet dhe kushtetutën, por koordinimi me partnerët është i domosdoshëm. Në këtë aspekt vlerësova hapat ee fundit për de-eskalimin e situatës atje, gjithashtu nënvizova se dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur fuqishëm nga SHBA, është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë OKB’së. E sigurova Osmanin për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e Shqipërisë për të kontibuuar me çdo mjet dhe me të gjitha mundësitë në mënyrë konstruktive në funksion të këtij dialogu”, tha Begaj.










