Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj e sheh ende si të gabuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për çështjen e teksteve shkollore.
Jasharaj në një prononcim për GazetaBlic thotë se janë duke u parë rezultatet e gabimit që ka bërë ministrja Nagavci, pasi sipas tj, ka ende probleme furnizimi me tekstet shkollore.
“E kam thënë edhe në fillim, që kjo është mënyra më e gabuar e mundshme që e ka bërë Nagavci për tekstet shkollore. Tash po shihen edhe rezultatet e atij gabimi sepse e kemi një vit shkollor kogja të vështirë, me probleme e me mungesë te tekstev”, tha Jasharaj.
Sipas Jasharajt, vështirë po realizohet rimbursimi dhe vështirë po arrtihet deri tek tekstet shkollore.
Jasharaj thotë se, ky është gabimi më i madh që ka mundur të bëjë Ministria e Arsimit.
“Edhe shifrat po flasin që një pjesë e punëtorëve të arsimit po kanë halle se si t’i realizojnë vitin shkollor 2023/2024, nga ana tjetër po shohim që ka prindër të cilët janë në pritje të rimbursimit, vështirë po realizohet rimbursimi dhe vështirë po arrihet deri tek tekstet shkollore”, tha Jasharaj.
“Është gabimi më i madh dhe më i keqi i mundshëm që ka mund ta bëjë Ministria e Arsimit rreth teksteve shkollore”, përfundoi ai.
Kujtojmë se, Ministria e Arsimit ka njoftuar dje se është kryer pagesa për grupin e dytë të prindërve që kanë aplikuar për subvencionimin e librave për fëmijët e tyre.
Kështu në total numri pagesa të kryera ka shkuar në 130 mijë, nga 178.580 aplikime.
“Nga MAShTI janë procesuar për pagesë pas verifikimit 130,000 aplikantë dhe në fillim të javës së ardhshme do të procedohet pjesa tjetër. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do të ju transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante që transferimi të bëhet në intervale sa më të shpejta kohore”, njofton MASHT-i.
Javën tjetër pritet që të kryhen pagesat edhe për 48.580 aplikues.












