Këshilltarja politike e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka akuzuar kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi, se kjo komunë ka respektuar vendimin e shtetit serb për tri ditët e zisë të shpallura për vrasjen e terroristëve në veri të Kosovës.
Sipas Sinanit, urdhrit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për respektimin e ditëve të zisë iu nënshtruan komunat me shumicë serbe në Kosovë, Republika Sërpska e BeH-së dhe komuna e Preshevës.
“Patriotizëm nëpër rrjete sociale, e zbatim urdhrash në realitet. Pas shpalljes “ditë zie” me rastin e vrasjes së tre terroristëve në Kosovë, nga ana e presidentit serb, Vuçiq, urdhrit iu nënshtruan komunat me shumicë serbe në Kosovë, republika Srpska, dhe e fundit, e vetmja komunë me shumicë shqiptare, komuna e Preshevës”, tha Sinani, teksa publikoi edhe foto të ndërtesës së Komunës së Preshevës me flamurin serb në gjysmështizë, raporton Klankosova.tv.
Ndërsa, në një prononcim për Klankosova.tv, kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, tha se fotografia e publikuar nga Ardita Sinani është e para shumë viteve.
“Ardita Sinani është rrence dhe shpifëse e pandërprerë. Me vite njihet edhe në Kosovë si e tillë. Është bashkëpunëtore e Vulinit. Plus e ka marrë një foto të para shumë viteve”, tha Arifi, njofton Klankosova.tv.
Arifi ofroi edhe disa pamje në të cilat shihet duke valuar vetëm flamuri me stemën e komunës së Preshevës, ndërsa flamuri serb është i mbështjellë për shtize.
Në pyetjen se pse flamuri serb është i mbështjellë për shtize, Arifi tha se “çdo institucion, sipas ligjeve dhe rregullores në Serbi e ka të obligueshme vendosjen e flamurit, ndërsa tek ne kemi një përvojë me dekada që flamuri të mbështillet në shenjë proteste”.
I pyetur se cili do të jetë veprimi i tij në rast se flamuri i Serbisë, ditëve në vazhdim shihet i pambështjellë dhe duke valuar, Arifi tha se “nuk ka me ndodhë, fli rehat”.
“Besoj se kesh i qartë që Presheva nuk ka ditë zie! Një këshillë modeste nga unë: mos i besoni Arditës shumë, kjo ka më shumë skandale në politikë sesa unë mund të kem këpucë në shtëpi”, tha Arifi.
Ndërsa Sinani, në një prononcim për Klankosova.tv, tha se fotografitë e saj janë të bëra sot në orën 18:30.
“Ai mund të thotë ç’të dojë, realiteti janë këto foto. Këto janë dëshmitë”, tha Sinani.
Ndërkaq Sinani, në një postim tjetër në llogarinë e saj në Facebook, tha se pas publikimit të fotografisë nga ajo, Arifi urdhëroi kryeshefin e Administratës ta kthejë flamurin lartë përsëri.
“Miku i Vulinit, Shqiprimi, ditën mban zi për terroristët e vrarë e natën gënjen shqiptarët. Foto e parë është realizuar në orën 18:30, dëshmia shihet brenda fotos. Pas publikimit të kësaj foto, miku i Vulinit urdhëroi kryeshefin e Administratës të kthejë flamurin lartë përsëri. Dëshmi foto 2. Sa keq, u desh ta ndërprejë mbajtjen e zisë”, tha Sinani në këtë postim. L












