Ish ministrja e punëve të jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ka folur lidhur me deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, se çështja e vizave mbetet e hapur dhe mund të pezullohet për Kosovën.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Franca po përpiqet të gjejë ‘zgjidhje të shpejtë’ duke kërcënuar me vizat, për t’u kthyer në dialog, duke mos e mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist në Banjskë.
Ajo këtë e quan pikën më të ulët të politikës së jashtme të çakorduar të BE-së.
“Përpjekja e Francës për “zgjidhje të shpejtë” duke kërcënuar e kushtëzuar Kosovën me vizat për t’u rikthyer në dialog tashmë të dështuar të BE-së pa e mbajtur Serbinë përgjegjëse për krimin e agresionit të 24 shtatorit – është pika më e ultë e politikës së jashtme të çakorduar të BE-së”, deklaron Haradinaj Stublla.
Macron në konferencën për shtyp me kryeministrin Rama në Tiranë, tha se Franca mund ta pezullojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, për shkak të mos respektimit të fjalës së dhënë nga Kosova për formimin e Asociacionit.












