Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me deklaratën e presidentit të Francës, Emanuel Macron, dhënë sot në Tiranë në lidhje me pezullimin e mundshëm të liberalizimit të vizave.
Beqa tha se një deklaratë e tillë e bërë nga Macron është një presion ndaj politikës kosovare.
Ai tutje shtoi se nëse bëhet një veprim i tillë (pezullohen vizat) kjo do të ishte e padrejtë për qytetarët e Kosovës.
“Unë mendoj se është një presion ndaj politikës kosovare. Mendoj se kryeministri i Kosovës duhet me pas një vizion dhe duhet me reflektu në raport me deklaratat e shteteve mike. Mendoj se nëse bëhet një veprim i tillë është i padrejtë për qytetarët e Kosovës sepse nuk u’a kanë obligim qytetarët, Qeverisë, që ndoshta për një avanturë të tyre, të kryeministrit apo dikujt tjetët të vazhdojë të mbetet vendi i izoluar” tha Beqa.
Por deputeti i PDK-së e cilësoi si të papranueshme një deklaratë të tillë dhënë nga presidenti francez.
“Unë mendoj se është e papranueshme një deklaratë e tillë” tha Beqa.
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, tha sot nga Tirana se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovë”.
“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.
Megjithëse deklarata e Macron nuk u shpjegua saktë, nga MPJD-ja thanë se nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave dhe se deklarata e Macron është interpretuar gabimisht.
“Sa i përket pyetjeve tuaja, lidhur me deklaratën e bërë sot nga Presidenti i Francës, z. Macron, e cila duket madje edhe të jetë interpretuar gabimisht, ju njoftojmë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave”, thuhet në përgjigjen e MPDJ.












