
Dallaveret në konkurse në ndërmarrje e institucione publike tashmë janë bërë “normalitet” në vendin tonë.
Një rast i tillë dyshohet të ketë ndodhur edhe në KEK në konkursin për pozitat manipulues i shiritave transportues, ku anëtarët e komisionit vlerësues dyshohet se rahatuan në punë të afërmit e tyre.
Madje dyshohet se kjo është bërë duke larguar nga lista ata që kishin kaluar testin me shkrim, përcjellë Gazeta Online Veriu.info.
Njëri personat që nuk u pranua ka thënë për T7 se edhepse i pati 80 pikë në test me shkrim ai nuk u pranua në punë.
“Nëse e shohim listën, në listë nuk janë publikuar të gjitha pikët, asnjë pikë për asnjë kandidat që është pranuar. Nuk dihet sa pikë i kemi pasur gjatë intervistës me gojë. Nuk janë publikuar pikët hiq por vetëm emrat. Sikur me shku në një institucion privat, për shembull, me u pranu në market. Njëjtë veç del emri që je pranu edhe pikët nuk ka nevojë” – deklaroi njëri nga personat që s’u pranua.
Ai vazhdon pretendimet e tij: “Në rendin e tretë është edhe nipi i Daut Krasniqit, Leotrim Krasniqit, që është pranuar aty. Po ashtu kemi edhe një lloj nepotizmi, se aty janë pranuar edhe dy kandidatë tjerë me mbiemrin Tërnava, që janë vëllezër, dhe baba i tyre punon në KEK. Po ashtu kemi edhe disa kandidatë tjerë që janë pranuar nga njerëz të fortë që kanë lidhje me komisionin.
Një tjetër kandidat pretendon se 30 persona janë nga fshati Bardh, nga i cili fshat vjen Daut Krasniqi.
Ky i fundit ka mohuar këto pretendime.












