Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka komentuar takimet e 26 tetorit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me liderët evropianë në Bruksel.
Sipas Berishes, Kurti e pranoi, por Vuçiq refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen, teksa ka thënë se presidenti serb e thirri në ndihmë kryeministrin Rama.
Berisha e quajti propozimin e Ramës për Asociacionin bllof dhe kryeministrin shqiptar si argat të Vuçiqit.
“Kryeministri Kurti pranoi kërkesën e tyre kurse Vuçiç e refuzoi atë. Por si tinzar sapo u kthye në Beograd për t’i shpëtuar presioneve si gjithnjë, shpalli zgjedhjet parlamentare për të forcuar pushtetin e tij putinist”, ka shkruar ai.
“Pas kësaj ai thirri në ndihmë argatin e tij në Tiranë, i cili si lider global i 1 prillit një javë pas takimit të Brukselit deklaroi se drafti i Asocacionit dorzuar Kurtit në Bruksel ishte ai që muaj më parë ju kishte dërguar udhëheqësve europian. Mirëpo në ate kohë draftin e tij për Asocacionin në të vërtetë e refuzuan publikisht si Kurti ashtu dhe Vuçiç”, ka shkruar Berisha.
Postimi i tij i plotë:
Vuçiçi, argati i tij, apo lideri global i 1 prillit.
Miq, një javë më parë në Bruksel udhëheqësit më të lartë të BE thirrën Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin Serbomadh Vuçiç, të cilëve ju kërkuan: Kurti të miratojë sipas draftit që paraqitën krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Vuçiç të njohë de facto Kosovën.
Kryeministri Kurti pranoi kërkesën e tyre kurse Vuçiç e refuzoi atë. Por si tinzar sapo u kthye në Beograd për t’i shpëtuar presioneve si gjithnjë, shpalli zgjedhjet parlamentare për të forcuar pushtetin e tij putinist.
Pas kësaj ai thirri në ndihmë argatin e tij në Tiranë, i cili si lider global i 1 prillit një javë pas takimit të Brukselit deklaroi se drafti i Asocacionit dorzuar Kurtit në Bruksel ishte ai që muaj më parë ju kishte dërguar udhëheqësve europian. Mirëpo në ate kohë draftin e tij për Asocacionin në të vërtetë e refuzuan publikisht si Kurti ashtu dhe Vuçiç.
Por sot ky pohim i liderit global të 1 prillit u përgënjeshtrua nga Prishtina. Pra ky ishte bllofi i tij i rradhës. Këtu nuk ka asgjë të re. Po jo! Qëllimi i deklaratës së djeshme të Edi Ramës ishte vetëm një: të justifikojë refuzimin e Vuçiçit për draftin e Asocacionit si draft i Tiranës dhe ky është shërbimi i rradhës që argati i bën padronit të tij!













