SHSKUK-ja është në hall me ujin. Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut disa klinika janë vërshuar. Gjendje më e rëndë është vlerësuar të jetë në Klinikën e Kirurgjisë. Pardje në këtë Klinikë u kryen vetëm dy operacione. E nga SHSKUK thonë se tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e parapara higjienike-sanitare për të rikthyer sallat e operacionit në gjendje të rregullt.
Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka ndërmarrë tashmë masa higjenike dhe sanitare për të rikthyer në gjendje të rregullt sallat e operacionit, pas vërshimeve të fundit në disa nga klinikat. Në një përgjigje për Express, nga ShSKUK-ja kanë thënë se javën e kaluar veçse është bërë një riorganizim i sallave të operacionit në klinikat e tjera, shkruan Gazeta Express.
Në Klinikën e Kirurgjisë para dy ditësh u kryen vetëm dy operacione. Kjo pas rrjedhjes së ujit brenda klinikës.
E rastet urgjente sipas ShSKUK-së po kryhen me prioritet.
“Ju informojmë se ShSKUK, ka ndërmarrë të gjitha masat e parapara higjienike-sanitare për të rikthyer sallat e operacionit në gjendje të rregullt. Po ashtu, Inspektorati Sanitar do të jetë i përfshirë në vlerësimin final të gjendjes. Javën e kaluar është bërë një riorganizim i sallave të operacionit në klinikat tjera, në pajtim të plotë ndërmjet drejtorëve të klinikave. Presim që së shpejti të rikthejmë sallat në funksion të plotë. Asnjë nga rastet urgjente dhe emergjente nuk pret për ndërhyrje kirurgjike, meqë kryhen me prioritet”, kanë thënë nga SHSKUK-ja në një përgjigje për Express.
Dëme ka pasur edhe në klinikën e Neurokirurgjisë dhe atë të Urologjisë.
Nga SHSKUK-ja përmes një njoftimi thanë se pacientët e Neurokirurgjisë janë duke u operuar në klinikën Emergjente.
“Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, njofton se gjatë renovimit të sallave të Klinikës së Neurokirurgjisë, dyshohet të jetë dëmtuar një gyp i ujit dhe për shkaqe të sigurisë së aparaturës, rrjedhimisht dhe sigurisë së shëndetit të pacientëve, është pezulluar përkohësisht programi i planifikuar operativ jo emergjent, vetëm në këto salla. Për rastet emergjente gjithçka është e siguruar. Ato po operohen në kuadër të Klinikës Emergjente. Ndërsa në rast nevoje janë gati për funksionalizim edhe sallat alternative në klinikat e tjera”, thuhet në njoftim.













